Po mbushen gati dy vjet kur qeveria ‘Rama’ ka mbyllur procesin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, por ende mungon një analizë përmbyllëse serioze e procesit. Nga 72 miliardë lekë borxhe të fshehura, të evidentuara në fillim të 2014-s, janë shlyer vetëm 51.5 miliardë lekë, ose 71% e vlerës së programuar për t’u shlyer.

Banka Botërore, në një analizë të posaçme për kredinë mbi 220 milionë USD, që dha si mbështetje buxhetore, tha se përfituese të shlyerjes së borxheve ishin 1500 kompani. Banka e ka konsideruar të rregullt procesin, por ka vënë re se qeveria ‘Rama’ po has vështirësi për të parandaluar krijimin e detyrimeve të reja.

Qeveria e pas 2013-s programoi që faturat e pashlyera të qeverisë së mëparshme t’i shlyente për tre vite 2014, 2015 dhe 2016, por në fakt procesi u mbyll për dy vjet.

Bankat, të cilat prisnin një lehtësim nga kreditë e këqija, ishin përfituesit më të paktë të këtij procesi.

Banka e Shqipërisë analizoi gjatë 2015-s se kredia e keqe në banka u ul vetëm 0.4% nga shlyerja e faturave.

Në muajin tetor 2013 u kontraktua një shoqëri e pavarur për të ndërmarrë një proces kontrolli dhe për të nxjerrë gjendjen përfundimtare në lidhje me kontratat qeveritare të pashlyera deri në fund të gushtit 2013.

Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qendrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve, u vlerësuan 24.6 miliardë lekë.

Detyrime të prapambetura janë identifikuar dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH dhe tatimfitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore.

Ministria e Financave pati analizuar se detyrimet e përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisjes qendrore deri në dhjetor 2013 ishin afërsisht 72. 6 miliardë lekë ose 5.3% e PBB-së.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com