TIRANË - Banka Botërore ka vlerësuar punën e të ndjerit Gjergji Filipi në krye të Institutit të Statistikave. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri Tahsim Sayeed i dorëzoi certifikatën e vlerësimit familjarëve të Gjergji Filipit i cili u nda nga jeta një muaj më parë si pasojë e një sëmundje të rëndë.
 
E kam takuar për herë të parë Gjergj Filipin 2 vjet më parë. Më duhet të them se më preku shumë rinia, entuziazmi, energjia dhe gjithë pozitiviteti që ai kishte për ta çuar përpara këtë vend përpara. Ai ka lënë edhe gjurmë dhe lidhje shumë të mira në nivel me stafin kombëtar dhe ndërkombëtar”, - u shpreh Sayeed.
 
Drejtoresha e komanduar në krye të INSTAT Mirela Muça shprehu vlerësimet për përkushtimin e Filipit në punën e tij.
 
“Gjergji ka ndikuar thellësisht për cilësinë e statistikave. Ai bashkëpunoi me mish e me shpirt me institucionet ndërkombëtare dhe ato vendase për të ngritur lart vlerat dhe rolin e INSTAT. Ai u përpoq dhe nuk u ndal asnjëherë që INSTAT të fitonte besimin e publikut si një institucion vërtet i pavarur", tha ajo.
 
gjergji filipi certifikate vleresimi

Në ceremoni morën pjesë edhe miq e bashkëpunëtorë të ish-kreut të INSTAT.
 
"E rikujtuam sot në një ceremoni domethënëse mikun tone qe ndonëse pati një jetë të shkurtër arriti të lërë një vepër për të cilin fëmijët prindërit bashkëshortja e tij, kolegët dhe bashkëpunëtorët, ne shokët e tij, do të jemi krenarë", u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi.
 
Filipi ishte prekur nga një sëmundje e pashërueshme disa kohë më parë por të cilën e zbuloi vonë. Gjergji Filipi që prej 24 tetorit 2013 drejtonte Institutin e Statistikave. Më parë, ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Kërkimeve në Institutin AXHENDA.

Gjegji Filipi ka qenë me detyrë konsulent për një sërë projektesh në fushat e zhvillimit dhe politikave ekonomike të financuara nga BE, Banka Botërore dhe institucione të mirënjohura ndërkombëtare.

Ai ka pasur disa detyra shtetërore, që lidheshin kryesisht me çështjet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Mbante titullin “Doktor i shkencave”, kishte veprimtari të dukshme universitare dhe mjaft punime shkencore.​

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)