Banka Botërore rikthehet për
kredinë qeveritare me kushte

TIRANE - Është rikthyer në Tiranë misioni i Bankës Botërore, që është ngarkuar për negocimin e një kredie të butë për qeverinë shqiptare, me vlerë 200-300 milionë dollarë, si mbështetje për buxhetin. BB ka ndërmarrë këtë nismë drejt shumë vendeve, që të shmangë pasojat e krizës globale mbi ekonomitë e tyre.

Bisedime për këtë çështje janë zhvilluar edhe disa muaj më parë, kur u duk se Banka kërkonte zbatimin e disa kushteve lidhur me politikat fiskale, në mënyrë që të disbursonte shumën. Qeveria deri tani është shprehur e vendosur se nuk do të pranojë ulje më të fortë të borxhit nga ajo që ka parashikuar në kuadrin makroekonomik afatmesëm, sipas të cilit borxhi në vitin 2014 mbetet mbi 58 për qind e Prodhimit Kombëtar Bruto, nga 56% që kërkon Banka.

Sipas parashikimeve të qeverisë, deficiti buxhetor për tre vjetët e ardshëm do të jetë 3 për qind, ndërsa Banka Botërore kërkon uljen e tij në 2.5 për qind gjatë këtij viti dhe në 2 për qind për 2013-2014-n.


Banka Botërore kërkon që qeveria të ulë më tej shpenzimet e planifikuara, duke prekur investimet në infrastrukturë, në këmbim të kredisë me norma të ulëta interesi, duke e vënë qeverinë shqiptare para një zgjedhjeje të vështirë: të pranojë uljen më të fortë të borxhit ashtu sikur i kërkon banka, apo të mbajë
shpenzimet për t'i dhënë frymëmarrje ekonomisë?

Aktualisht, ajo i është drejtuar për financim tregut të brendshëm financiar, por kjo ka sjellë rritjen e ndjeshme të interesit të bonove të thesarit, pra rritjen e kostos së borxhit. (shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Uashington, ekspozohen 2500 objekte të rralla në muzeun e ndërtimit

Uashington, ekspozohen 2500 objekte të rralla në muzeun e ndërtimit