Banka Botërore vlerëson punën e
qeverisë për administratën publike

Banka Botërore vlerëson punën e<br />qeverisë për administratën publike
Programi “Inovacioni kundër korrupsionit- Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin” ka marrë një mbështetje të rëndësishme nga Banka Botërore. Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB-së miratoi financimin prej 32 milionë dollarësh për “Projektin e ofrimit të shërbimeve me në qendër qytetarin”.

“Kjo mbështetje është një vlerësim domethënës për punën e bërë nën drejtimin e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, për hartimin dhe nisjen e realizimit të këtij programi me një rëndësi të veçantë për qytetarët shqiptarë”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit pranë ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Reforma do të transformojë mënyrën se si administrata publike ju shërben qytetarëve dhe biznesit. Të gjitha shërbimet e institucioneve shtetërore për publikun do të ofrohen në një model të ri, me sportele të grupuara, duke synuar shkurtimin e kohës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, sipas parimeve të shërbimit ndaj klientit.

Në të njëjtën kohë kjo reformë synon t’i presë rrugën korrupsionit, pasi tashmë sportelet ku do të merret shërbimi nuk do të varen më nga institucionet që i prodhojnë këto shërbime. Sportelet do të funksionojnë mbi bazën e procedurave tërësisht të reja dhe të afateve kohore të përcaktuara qartë.

Modernizimi i shërbimeve të ofruara qytetarit dhe biznesit, sipas praktikave më të mira të BE-së dhe atyre ndërkombëtare do të arrihet nëpërmjet thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative; dixhitalizimit të shërbimeve dhe ngritjes së sistemeve të teknologjisë së informacionit; zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për shërbimet nga qytetarët, si dhe ngritjes së mekanizmave për mbledhjen e mendimeve dhe vlerësimeve të qytetarëve për shërbimet, për të siguruar përmirësimin në vazhdimësi të tyre.

Puna për këtë program ka nisur prej mëse një viti, kohë gjatë së cilës është kryer inventarizimi i shërbimeve publike që ofron administrata publike qëndrore si dhe kodifikimi i këtyre shërbimeve. Aktualisht po punohet për hartimin e formularëve që do të përdoren për marrjen e shërbimeve. Këta formularë do të jenë standard dhe të bazuar në një model të vetëm.

Reforma në Shërbimet Publike është një nga 6 prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe si e tillë ajo po realizohet me një angazhim të posaçëm të Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike si dhe strukturave përkatëse në varësi të saj.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Përshëndetje naziste në Marseille, tifozi i Atalantës ndalet nga policia në stadium dhe dërgohet në qeli

Përshëndetje naziste në Marseille, tifozi i Atalantës ndalet nga policia në stadium dhe dërgohet në qeli