Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Shqipëria mbetet ndër vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Europë, ku rreth 86% e territorit dhe mbi 88% e popullsisë janë të rrezikuara nga këto fenomene, deklaroi Delina Ibrahimaj gjatë një forumi të organizuar në Tiranë mbi riskun nga fatkeqësitë natyrore dhe stabilitetin fiskal të organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në Tiranë.
Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve financiare, autoriteteve rregullatore, industrisë së sigurimeve, sektorit bankar dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të diskutuar mbi ekspozimin ndaj fatkeqësive natyrore, menaxhimin e riskut dhe forcimin e mekanizmave të reziliencës ekonomike dhe stabilitetit fiskal.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se fatkeqësitë natyrore duhet të trajtohen si rreziqe që ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe mirëqenien ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.
Ministrja kujtoi pasojat e tërmetit të vitit 2019, si edhe fenomenet e përsëritura të përmbytjeve dhe zjarreve, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Ministrja nënvizoi se qeveria shqiptare ka ngritur prej disa vitesh një grup teknik, të drejtuar nga Ministria e Financave, për hartimin e ligjit mbi menaxhimin e fatkeqësive natyrore, me fokus të veçantë tërmetet dhe përmbytjet.
Ajo solli në vëmendje edhe koston e lartë të tërmetit të vitit 2019 për financat publike, e cila arriti në rreth 1 miliard euro, duke theksuar nevojën për mekanizma të qëndrueshëm mbrojtës dhe instrumente financiare parandaluese. Ministrja Ibrahimaj ngriti shqetësimin për nivelin shumë të ulët të sigurimit të banesave dhe bizneseve ndaj rreziqeve nga tërmetet dhe përmbytjet, duke theksuar se kultura e sigurimit në vend mbetet ende e kufizuar.
Në këtë kuadër, Ibrahimaj vlerësoi si thelbësor hartimin dhe miratimin e legjislacionit për sigurimin e detyrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore.
“Nuk duhet të përqendrohemi vetëm te politikat afatshkurtra apo afatmesme. Qeveritë duhet të ndërtojnë politika afatgjata që garantojnë stabilitet ekonomik, siguri fiskale dhe qëndrueshmëri për vendin”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Sipas Ministres, diskutimet dhe rekomandimet e dala nga forumi do të japin një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përballimin e këtyre rreziqeve.
Komente










