Në raportin tremujor të Bankës Italiane mbi sfidat për qeverinë e ardhshme të vendit, thuhet se recesioni që përfshiu Italinë në verën e vitit 2011 do të vazhdojë për një pjesë të mirë të vitit 2013.

Në raportin ekonomik të publikuar ditën e premte Banka e Italisë parashikon, që rritja vjetore e prodhimit të brendshëm bruto të jetë 1 për qind më e ulët se vjet, ndërkohë që parashikimet e mëparshme flisnin për një tkurrje prej vetëm 0.2 për qind.

Guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco gjatë një seminari në Universitetin e Firences është shprehur se recesioni mund të marrë fund në gjysmën e dytë të vitit 2013. Italia duhet të jetë në gjendje për të gjetur motivimin dhe nxitjen për të përballuar me vendosmëri me çështjen e rritjes ekonomike në vend.

Gjithashtu shifra e papunësisë do të rritet me 12% në vitin 2014, e cila jep alarmin mbi numrin e të papunëve sidomos mes të rinjve thuhet në raportin ekonomik.
Megjithëse masat e ashpra buxhetore të ndërmarra nga Mario Monti, kriza ekonomike ne Itali është thelluar shumë duke vënë kështu qeverinë e ardhshme, që do të krijohet pas zgjedhjeve të 24-25 shkurtit përballë një sfide madhore.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)