‘Paraja rrëfen, 100 vjet jetë dhe ngjarje, 1925-2025’, ekspozita për 100 vjetorin e kartëmonedhës shqiptare është hapur edhe në Kosovë, në ambientet e Bankës Qendrore atje. 

Ekspozita përveçse tregon ndryshimet e pësuara në seritë e monedhave dhe kartëmonedhave si pasqyrim i zhvillimeve të kohës, ka edhe objekte, dokumente e artefakte të rralla.

“Kjo ekspozitë kërkon të vendosë në vëmendje një ide të thjeshtë: monedhat dhe kartëmonedhat, ndër shekuj, kanë mbartur jo vetëm vlerë shkëmbimi, por edhe simbole, trashëgimi dhe identitet”, tha guvernatori Gent Sejko.

Zgjedhja e Prishtinës si ndalesë tha guvernatori Gent Sejko pasqyron historinë e përbashkët dhe lidhjet e thella ndërmjet shqiptarëve.

“Nëntori i vitit 1912 solli Pavarësinë dhe simbolet që na bashkojnë. Kujtojmë këtu vizionin e Ismail Qemal Vlorës për krijimin e një banke qendrore shqiptare si një “qelizë bazë” për rimëkëmbjen ekonomike dhe ndërtimin e shtetit të pavarur shqiptar, një vizion që shërbeu si një orientim i qartë për rrugën që do të ndiqnim më pas”, tha Sejko.

Sejko thotë se ekspozita nuk është vetëm një ‘përvojë muzeale’.

“Është historia e një populli që, pavarësisht sfidave, ka zgjedhur të ndërtojë”, thotë guvernatori.

Ekspozita në Kosovë që përkon edhe me Festës së Pavarësisë së Kosovës, do të jetë e hapur deri më 20 shkurt. Kurse ekspozita në Shqipëri do të jetë e hapur për tu vizituar nga qytetarët deri më 20 korrik të këtij viti.