‘Paraja rrëfen, 100 vjet jetë dhe ngjarje, 1925-2025’. Kështu titullohet ekspozita e hapur në ambientet e godinës së dytë të Bankës së Shqipërisë, për të kremtuar 1 shekull prej kur është hedhur në qarkullim monedha dhe kartëmonedha e parë kombëtare.
“Synon të tregojë se historia monetare është një mësuese e kujdesshme: na kujton se stabiliteti nuk është i përhershëm; se krizat mund të rikthehen; se inflacioni, paqëndrueshmëria financiare apo pasiguria në pritshmëri kanë kosto reale mbi familjet, bizneset dhe të ardhmen e vendit. Pikërisht për këtë arsye, jemi përpjekur të shkojmë përtej kuriozitetit historik”, tha guvernatori.
Në ekspozitë ka edhe objekte, dokumente dhe artefakte të rralla. Guvernatori Gent Sejko tha se qëllimi është që përmes ekspozitës të flasë vetë historia.
“Historia e bankës qendrore dhe e monedhës shqiptare shpaloset si një udhëtim i vendit tonë në tri faza të gjera, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë”, tha Sejko.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri Marco Alberti, që vlerësoi progresin e bërë nga banka qendrore.
“Banka e Shqipërisë është një institucion në rritje në një vend në rritje. Projektet e menaxhuara nga Banka po rriten ashtu si edhe aftësia e saj për të mbështetur ekonominë kombëtare; gjithashtu po rritet edhe integrimi i saj, me hyrjen e fundit në sistemin SEPA, një tjetër objektiv thelbësor i arritur falë angazhimit të Bankës Qendrore.” theksoi Ambasadori Alberti.
Ekspozita është ngritur në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, dhe në të është pasqyruar i gjithë historiku i kartëmonedhave e monedhave që kanë shoqëruar vendin qysh nga viti 1925 kur u krijua Banka e Shqipërisë. Në 100 vite janë hedhur në qarkullim një sërë seri kartëmonedhash e monedhash, që vinin gjithnjë si pasqyrim i zhvillimeve të kohës. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 20 korrik të këtij viti.
Komente










