Banka e Shqipërisë kërkon tavan për interesat e kredive konsumatore! Propozimi pas abuzimeve nga shoqëritë jo banka

Të gjithë qytetarët që nga nevoja marrin kredi me norma të larta interesi deri në abuzive, do të kenë mundësinë të mbrohen, dhe kjo përmes një vendimi të Bankës së Shqipërisë. Institucioni qendror financiar kërkon që të vendosë normë interesi tavan për kreditë konsumatore, e kjo rregullore tashmë është hedhur për konsultim me bankat dhe institucionet financiare jo-banka.

Ky nivel interesi do të vendoset duke u bazuar në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kredinë konsumatore rritur me një të tretën e saj. Për shembull nëse mesatarja e normave për një tremujor është 12%, tavani maksimal do të jetë 16%, duke i shtuar 1/3 e mesatares.

“Kjo normë vendoset në fund të çdo tremujori për tremujorin vijues nga Banka e Shqipërisë dhe botohet në faqen e saj zyrtare të internetit”, thuhet në projekt-rregullore.

Për të përcaktuar tavanin Banka e Shqipërisë, do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë tremujorit të mëparshëm, të cilat janë akorduar vetëm për individët, nuk janë të siguruara me anë të hipotekës dhe shuma e disbursuar nuk tejkalon kufirin prej 10 milionë lekë.

Norma maksimale do të ndahet sipas 3 shumave të kredive konsumatore. Pra për kreditë deri në 200 mijë lekë do të ketë një tavan, për ato mbi 200 deri në 2 milionë do të ketë një normë tjetër dhe për kreditë mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë do të ketë një tjetër tavan norme interesi.

Edhe pse në rregullore thuhet që ky vendim do të aplikohet edhe për bankat, dhe jo vetëm për institucione financiare, (të tilla si Kredo.al, IuteCredit etj), njohësit e këtij sektori thonë se abuzimet më të mëdha me normat e interesit janë konstatuar tek shoqëritë jo-banka.

“Me këtë vendim kërkohet të vendoset kufi i sipërm për normën efektive të kredive konsumatore, pasi praktika po tregon që disa institucione jobanka po aplikojnë norma interesi jashtë çdo logjike tregu dhe normale. Është e mirëpritur madje, sepse mbron konsumatorin sidomos atë të vogël”, thotë Elvin Meka ekspert për çështjet financiare.

Institucionet jo banka janë më të pritura drejt normave më të larta për shkak edhe se ata ndjekin procedura të shpejta për të dhënë kredinë, dhe nuk kryejnë analiza risku si bankat tregtare, dhe marrin një risk të lartë për kthimin e kredisë. Në këtë mënyrë për të marrë fitimin e tyre ata aplikojnë norma të larta interesi. Këto ndryshime që propozon banka qendrore i mbështet edhe shoqata e bankave, pasi janë në mbrojtje të konsumatorëve. Sipas ekspertëve duke i mbajtur normat nën një tavan të caktuar, rezultati pritet të jetë pozitiv pasi do të sjellë norma më ekonomike dhe të leverdishme për qytetarët.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet