Kreditë me probleme në sektorin bankar kanë prekur nivelin më të ulët të dy dekadave. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë kreditë me probleme në shkurt zbritën në 4% nga 4.6% që ishin në shkurt të vitit të shkuar. Vlera e kredive me probleme nëpër banka është 344 milionë euro nga 351 milionë euro që ishte në vitin e shkuar, duke u ulur me rreth 7 milionë euro.
Ndikim pozitiv në shlyerjen e kredive në kohë ka dhënë ulja e interesave, si rezultat i uljes së normës bazë nga Banka e Shqipërisë, por edhe zhvlerësimi i valutave ka dhënë kontribut pasi i bën më të lira kreditë e marra në monedhë të huaj.
Kredia e dhënë për ekonominë përllogaritet në 8.4 miliardë euro në total, nga e cila afro 3.6 miliardë euro është e marrë në monedhë të huaj, dhe pjesa tjetër prej 4.8 miliardë lekë është në monedhën kombëtare.
Banka Qendrore pati deklaruar se pozitive vjet ishte fakti që nuk u regjistruan kredi të reja me probleme, në raport me vitet e kaluara, madje pati edhe ndërgjegjësim të kredimarrësve problematikë pasi nisë të shlyenin kreditë me probleme.
Vetë bankat për të shmangur rritjen e kredive me probleme po tregohen më të kujdesshme në kredidhënie, duke shtrënguar kushtet sidomos për qytetarët, në mënyrë që të mos rrezikojnë për një tjetër rritje të kredive me probleme.
Komente

