Banka e Shqipërisë ka reaguar sot me një deklaratë zyrtare, pasi Presidenti i Republikës publikoi dje 31 korrik një letër të drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ku, presidenti sugjeronte hetimin parlamentar veprimtarisë së bankës qendrore në mbikëqyrjen e institucioneve të mbledhjes së kredive të këqija.
Duke sqaruar njëherë rolin e saj në licencimin e këtyre institucioneve, Banka e Shqipërisë shprehet se, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri.
"Pra, Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB", njoftoi BSH.
Banka e Shqipërisë shprehet se ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar në vend.
“Me masat dhe veprimet tona ndër vite, ne kemi kontribuar që Shqipëria të përballojë me sukses pasojat e një sërë krizash financiare, kemi mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë, duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike, kemi përmirësuar rrënjësisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve,” shprehet Banka e Shqipërisë.
Njoftimi i plotë:
Me vlerësimin maksimal për shqetësimin e Presidentit të Republikës dhe me përgjegjshmërinë për të informuar saktë dhe drejt publikun, Banka e Shqipërisë gjen me vend të ritheksojë se:
Banka e Shqipërisë ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar në vend. Kjo arritje është vlerësuar sistematikisht nga autoritetet më të larta vendase, si dhe është materializuar si në Rezolutat Vjetore të Kuvendit të Shqipërisë, ashtu edhe nga qëndrimet publike të partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Komisioni Evropian etj.
Me masat dhe veprimet tona ndër vite, ne kemi kontribuar që Shqipëria të përballojë me sukses pasojat e një sërë krizash financiare, kemi mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë, duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike, kemi përmirësuar rrënjësisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve.
Mandati ligjor i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar të vendit. Në këtë funksion, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë për të administruar rrezikun e kredive joperformuese në sistemin bankar, ka qenë dhe mbetet jetike për të ruajtur qëndrueshmërinë e sistemit dhe mbi të gjitha mbrojtjen e depozituesve nga rreziku i humbjes së shumave të depozituara në rast të tronditjes së sistemit bankar dhe financiar, nga risku i moskthimit të kredive të marra prej konsumatorëve apo shoqërive tregtare.
Për këtë qëllim, në shtator të vitit 2015, u miratua “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”, i cili u nënshkrua nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe përcaktonte një sërë detyrash për institucionet qeveritare dhe për Bankën e Shqipërisë. Një ndër detyrat e Bankës së Shqipërisë, ishte licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen dhe administrimin e kredive me probleme, zgjidhje kjo e cila gjente mbështetje të plotë edhe në parashikimet e Kodit Civil.
Ky aktivitet kryhej tashmë nga disa subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat përveç kredidhënies, mund të blinin portofole të kredive me probleme, pasi licenca që gëzonin nuk e pengonte këtë transaksion. Sipas përcaktimeve rregullative, aktiviteti i kredidhënies ka përfshirë në çdo moment edhe blerjen e kredive me probleme, ndaj në çdo kohë, çdo subjekt i licencuar nga Banka e Shqipërisë për kredidhënie, mund të blinte edhe portofole të kredive me probleme nga bankat ose jobankat.
Rregullimi i bërë nga Banka e Shqipërisë në vitin 2016 nuk prekte aspektin licencues të subjekteve të pajisura tashmë me një licencë kredidhënieje, por bënte të mundur që aktiviteti i blerjeve vetëm të kredive me probleme të kornizohej brenda kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë (raportim, mbikëqyrje etj.).
Në aspektin licencues, ky rregullim solli ndryshim vetëm për institucionet e reja që mund të futeshin në treg, portofoli i të cilave do të përbëhej 100% vetëm nga kredi me probleme.
Këto ndryshime, krahas faktit që ishin një detyrë e lënë nga “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme” i vitit 2015, erdhi si domosdoshmëri edhe për arsye se: kredia është një produkt financiar dhe transferimi i këtij produkti duhet të bëhet detyrimisht drejt subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë; është e detyrueshme përmbushja e kërkesave rregullatore për raportimin e të dhënave në Regjistrin e Kredive me qëllim mospenalizimin e qytetarëve për të plotësuar nevojat e tyre për kreditim; administrimi i riskut nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizave nga jashtë, si dhe raportimet periodike pranë Bankës së Shqipërisë janë të një rëndësie të lartë;
Banka e Shqipërisë i kushton vëmendje maksimale konsumatorit në drejtim të transparencës, mbrojtjes nga veprimtari abuzive dhe ndërmjetësimit në trajtimin e ankesave të kredimarrësve.
Pra, Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB.
Ky fakt u rikonfirmua nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, në prononcimin e tyre më të fundit zyrtar, të pyetur drejtpërdrejt për këtë çështje, citojmë: “…Është një çështje e njohur publikisht që analizat në kuadër të programit të mbështetur nga FMN në vitet 2015 dhe 2016 identifikuan nivele të larta të kredive me probleme, si një element cenueshmërie për sektorin bankar. Në këtë kontekst, FMN miratoi planin e veprimit të autoriteteve shqiptare të vitit 2015 për të reduktuar kreditë me probleme.
Ky plan, mes të tjerash, i dha Bankës së Shqipërisë mandatin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të menaxhimit të kredive me probleme, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre me sistemin bankar. …”.
Banka e Shqipërisë, në përmbushje të të gjitha kritereve rregullatore dhe respektim të plotë të kërkesave ligjore, mbështetur në analiza të thelluara të riskut, si dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë e bashkëpunimin e institucioneve në vend, licencoi në vijim subjektet të cilat i përmbushnin plotësisht kriteret rregullatore.
Në vijim, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të veprimtarisë së këtyre shoqërive, Banka e Shqipërisë ka ushtruar me profesionalizëm të plotë funksionin e saj mbikëqyrës, në respektim të detyrimeve ligjore dhe rregullatore.
Nga momenti i licencimit, të gjitha këto subjekte iu janë nënshtruar inspektimeve periodike nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe konkretisht, inspektime të vazhdueshme nga jashtë, ekzaminime të plota dhe atyre të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë të raportuar prej tyre.
Përgjatë gjithë këtij procesi, Banka e Shqipërisë ka marrë sa herë e nevojshme masat e duhura mbikëqyrëse, të cilat, në rastet më të fundit, janë përshkallëzuar deri në revokim të plotë të licencës së subjekteve që gjatë ushtrimit të aktivitetit kishin shkelur detyrimet rregullatore të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, të materializuara në vendimmarrje të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë ndërmarrë edhe një sërë iniciativash institucionale, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtje të konsumatorit, si: kufizimin e masës së penaliteteve të detyruar për t’u paguar nga kredimarrësit në vonesë në jo më shumë se 30% të shumës totale të detyrimit të mbetur të kredisë; vendosjen e një kufiri të normës maksimale të interesit; heqjen e pagesës së një penaliteti në rast të shlyerjes para afatit të disa prej kategorive të kredisë; heqjen e tarifës së marrjes së raportit të kredimarrësit nga Regjistri i Kredive që administrohet nga Banka e Shqipërisë për konsumatorët kredimarrës; etj.
Ndërkohë, po punohet me asistencën e Bankës Botërore, mbi rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, duke pasur veçanërisht në fokus mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka vijuar të shqyrtojë dhe asistojë me seriozitet çdo ankesë në drejtim të subjekteve të mbikëqyrura prej saj. Ajo çka ka dominuar gjatë këtij procesi, është fakti se numri më i madh i ankimimeve të mbërritura në Bankën e Shqipërisë nga klientët e këtyre shoqërive lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky fakt konfirmohet edhe sot, kur një grup pune i dedikuar brenda Bankës se Shqipërisë po trajton ankesat e kredimarrësve të institucioneve financiare, të cilave tashmë u është revokuar licenca.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i është njohur vetëm gjykatës kompetente. Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Gjejmë rastin të ritheksojmë se kontratat e kredive dhe marrëdhëniet apo mosmarrëveshjet mes kreditorëve dhe klientëve janë subjekt ekskluziv i Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile që prevalojnë mbi çdo ligj apo rregullore të Bankës së Shqipërisë dhe si të tilla janë objekt ekskluziv i organeve të drejtësisë.
Po ashtu, veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qofshin këto të organizuara si shërbim shtetëror apo privat, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë.
Thënë sa më sipër, dëshirojmë të sigurojmë publikun dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë se Banka e Shqipërisë, në përmbushje të detyrave të saj ligjore, ka ushtruar pandërprerë, me përpikmëri, profesionalizëm, integritet dhe fokus mbrojtjen e konsumatorit, të gjitha funksionet e saj mbikëqyrëse e rregullatore, brenda të gjitha hapësirave atribuuar asaj nga ligjet në fuqi. Funksioni i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe rregullojë atë pjesë të tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke gjetur ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme ndaj problematikave që kanë shoqëruar edhe këtë pjesë të procesit, pavarësisht se përtej juridiksionit të saj. Në funksion të zgjidhjes së tyre, Banka e Shqipërisë vijon të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë si dhe i ka trajtuar në vazhdimësi këto çështje në të gjitha komunikimet me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Konkretisht, kemi pasur komunikime shkresore dhe takime të vazhdueshme. Kemi kërkuar ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës. Kemi kërkuar shkëmbimin e informacionit sa herë prej një institucioni janë konstatuar gjetje të natyrave të ndryshme dhe që e preknin këtë proces. Për më tepër, kemi kërkuar konfirmim zyrtar në mënyrë të vazhdueshme nga organet ligjvënëse mbi hetime/procedime të mundshme të këtyre subjekteve apo aksionerëve/administratorëve të tyre.
Krahas sa më sipër, Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi, ka sugjeruar veprime të bashkërenduara për një përmirësim të qenësishëm të të gjithë këtij procesi. Nga vetë natyra e tyre, këto veprime kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.
Konkretisht, ne kemi gjykuar dhe gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:
Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;
Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;
Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;
Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;
Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e interesit;
Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hartimin e një ligji të veçantë për kamatat ligjore për kredinë konsumatore dhe hipotekare.
Për të gjitha sa më sipër, Banka e Shqipërisë ka ushtruar detyrimin e llogaridhënies në mënyrë të vazhdueshme pranë Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet: sqarimeve të detajuara të dhëna gjatë seancave dëgjimore të thirrura posaçërisht për këtë çështje nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, raportimit periodik të aktivitetit vjetor të Bankës së Shqipërisë pranë këtij Komisioni por dhe në Seanca Plenare, publikimit të Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes, dhënies së informacionit të plotë ndaj të gjitha institucioneve, si dhe përgjigjes së interesimit të mediave kurdoherë është kërkuar dhe është gjykuar e nevojshme.
Sot, miliona shqiptarë i kanë besuar sistemit bankar e financiar rreth 16 miliardë euro, sistem mbi të cilin Banka e Shqipërisë vigjilon pareshtur, ndaj çdo keqinformim mbi rolin dhe funksionet e Bankës së Shqipërisë rrezikon cenimin e reputacionit të këtij institucioni, i cili ka marrë kurdoherë vlerësime maksimale nga partnerët dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, duke iu referuar sërish deklaratës së fundit zyrtare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, citojmë: “…Gjithashtu, duam të shtojmë se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar…” cenimi i reputacionit përbën një rrezik tepër serioz mbi stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë në vend!
Në çdo rast, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar dhe do të vijojë të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha organet e drejtësisë, për të sqaruar dhe qartësuar çdo aspekt të rolit të saj. Njëkohësisht, ne mbetemi të hapur të japim të gjithë kontributin, informacionin, e sqarimet e nevojshme duke e konsideruar transparencën dhe llogaridhënien e plotë ndaj të gjitha palëve, e veçanërisht publikut, një element kyç të besueshmërisë së saj dhe tejet të rëndësishëm në përmbushjen e njërit prej mandateve të saj ligjore, atë të stabilitetit financiar të vendit.