Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh sot, ku u morën disa vendime lidhur me politikat monetare.
U miratua Deklarata dhe Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2026, ku Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se sistemi financiar shqiptar vijoi të zhvillohej në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa sektori bankar shënoi zgjerim të aktivitetit, i mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike mbetën pozitive, të nxitura nga konsumi, investimet dhe turizmi, ndërsa punësimi dhe pagat u rritën, dhe borxhi publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto vijoi të ulet.
Më tej në raportin e Bankës së Shqipërisë theksohet se sektori bankar mbetet rezistent ndaj rreziqeve të identifikuara, megjithëse kërkohet forcimi i mëtejshëm i sistemeve të administrimit të rreziqeve dhe ruajtja e niveleve të përshtatshme të kapitalizimit.
Ndërkohë sipas raportit, presionet për rritjen e inflacionit janë rritur, ndërsa rreziqet kryesore për ekonominë lidhen me pasiguritë ndërkombëtare, konfliktet gjeopolitike dhe tensionet tregtare.
Banka e Shqipërisë ka vendosur gjithashtu të rrisë transparencën për tarifat e këmbimit valutor në pagesat me kartë në POS dhe ATM, si dhe në transfertat online, duke kërkuar informim të qartë të klientëve përpara kryerjes së transaksioneve.
Ndryshimet në rregulloren për veprimtarinë valutore synojnë gjithashtu lehtësimin e transfertave për qytetarët dhe bizneset, në kuadër të zhvillimeve të lidhura me SEPA-n, Open Banking dhe pagesat e menjëhershme, ndërsa Banka ProCredit mori miratim paraprak për ndërmjetësimin në sigurime dhe risigurime si agjent.
Njoftimi i Bankës së Shqipërisë:
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 shtator 2026
Data e publikimit: 02.09.2026
Në mbledhjen e datës 2 shtator 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:
Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2026
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit paraqitet Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".
Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 (më tej, "periudha"), veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Zgjerimi i aktivitetit të sektorit bankar vijoi me ritme të mira, me kontributin kryesor nga rritja e depozitave, të cilat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Rezultati financiar neto i sektorit bankar ishte pozitiv, por më i ulët se ai i së njëjtës periudhë të një viti më parë. Rreziqet që burojnë nga ndërlidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar, si edhe ato të veprimtarisë së vetë sektorit bankar, vlerësohen të jenë në nivele të kontrolluara. Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara, në mënyrë të ngjashme me periudhën e kaluar. Për sistemin financiar dhe sektorin bankar mbetet aktual rekomandimi për forcimin e sistemeve të parandalimit dhe të administrimit të rreziqeve, si edhe për ruajtjen e niveleve të përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë.
Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, si dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit. Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale mbeti e kujdesshme dhe pesha e borxhit publik në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) vijoi rënien. Zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme janë shoqëruar me rritjen e presioneve inflacioniste, por norma e inflacionit mbetet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë e lartë që paraqesin aktualisht zhvillimet ndërkombëtare, të përcaktuara nga konfliktet gjeopolitike dhe tensionet tregtare.
Aftësia e sistemit financiar për të mbështetur ekonominë, kuadri ligjor dhe institucional për mbikëqyrjen e tij, si dhe kapacitetet e sistemit për të administruar rreziqet e veprimtarisë, këtë vit po i nënshtrohen një vlerësimi të pavarur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Si më parë, rekomandimet që do të pasojnë këtë vlerësim do të përkthehen në reforma të nevojshme për forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit financiar përballë sfidave të ardhshme.
Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”
Ndryshimet lidhen kryesisht me shtimin e disa kërkesave për rritjen e transparencës së tarifave të këmbimit valutor kundrejt Lekut në transaksionet me kartë (POS, ATM), transfertat e kreditit (online), si dhe të disa masave për lehtësimin e automatizimit të pagesave.
Kërkesat e reja përcaktojnë detyrimin për informim të qartë dhe paraprak të paguesit mbi tarifat e këmbimit valutor për transaksionet me kartë në ATM ose POS, duke përfshirë edhe paraqitjen e tyre si mark-up mbi kursin e Bankës së Shqipërisë, publikimin e këtij informacioni dhe dërgimin e njoftimeve elektronike përkatëse te paguesi. Gjithashtu, parashikohet detyrimi i ofruesit të shërbimeve të pagesave për të informuar qartë dhe në mënyrë të plotë paguesin, para inicimit të transfertës së kreditit online, mbi tarifat e këmbimit të monedhës dhe shumën totale të transfertës, përfshirë tarifat përkatëse.
Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për veprimtarinë valutore”
Ndryshimet synojnë thjeshtimin e procedurave për kryerjen e transfertave dhe përshtatjen e kuadrit rregullator me zhvillimet në fushën e digjitalizimit të pagesave, duke siguruar heqjen e kërkesës për paraqitjen e dokumentacionit specifik justifikues për transfertat korrente ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve. Këto ndryshim do të lehtësojnë procesin për qytetarët dhe bizneset, në kuadër edhe të zhvillimeve që lidhen me SEPA-n, Open Banking dhe të pagesave të menjëhershme. Ndërkohë, subjektet e rregullores do të vazhdojnë të zbatojnë detyrimet mbi dokumentacionin që parashikohet nga legjislacioni në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu, ndryshimet sigurojnë harmonizimin e përkufizimeve të termave “rezident” dhe “jorezident” me standardet ndërkombëtare, bazuar në parimin e rezidencës ekonomike.
Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarisë financiare shtesë nga Banka ProCredit sh.a.
Në bazë të këtij miratimi, Banka ProCredit sh.a. do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, në rolin e agjentit.
Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.










Komente
Komento