Banka e Shqipërisë, skemë të re kredish për bizneset! ‘Të vegjlit’ e marrin me 3.5%! Deri në 250 mijë euro, vetëm për investime

Për 5 vite bizneset mikro, të vogla dhe të mesme do të marrin kredi me normë të ulët interesi, thuajse të njëjtin nivel si kreditë e buta për familjet. Programi i ri i miratuar nga Banka e Shqipërisë që synon rritjen e financimit për këto kategori biznesi, vë në dispozicion të bankave tregtare një fond prej 25 miliardë lekësh që do të përdoret vetëm për kreditimin e këtyre bizneseve.

Në programin e siguruar nga Report TV thuhet se bizneset mund të marrin deri në 25 milionë lekë kredi (250 mijë euro), afati i shlyerjes do të jetë jo më pak se 3 vite dhe norma e interesit do të jetë deri 3.5% nga afro 7.7% që ishte deri më tani.

Ky program i miratuar u jep mundësi bankave tregtare të marrin hua pranë bankës qendrore me interes vetëm 0.5%, ndërsa skema do të nisë të zbatohet që këtë vit, ku fillimisht do të aplikojnë bankat për të marrë likuiditetin pranë Bankës së Shqipërisë dhe vitin tjetër do të nisin kredidhënien ndaj këtyre segmenteve të biznesit.

Po ashtu Banka e Shqipërisë thotë në program se norma e interesit për kredinë për biznesin e vogël e të mesëm mund të ulet deri në 2% nëse shteti vendos të miratojë ndonjë garanci sovrane në kuadër të këtij programi.

“Në rast se këto kredi të PFBVM do të garantohen me garanci shtetërore, të cilat mbulojnë: a) 15  - 35% të rrezikut të kreditit; b) 35 - 55% të rrezikut të kreditit; dhe, c) 55 – 75% të rrezikut të kreditit; tavanet e çmimit të kredisë do të shkojnë respektivisht në: a) 3%; b) 2.5%; dhe, c) 2%; për pjesën e mbetur të programit”, thuhet në program.

Kusht për të marrë kredi është që do të përdoret vetëm për investime, për të rritur kapacitetet prodhuese të bizneseve apo për të investuar në teknologji. Edhe pse Banka e Shqipërisë sqaron se përfitues të kësaj skeme do të jenë biznese nga të gjithë sektorët e ekonomisë, ajo apelon për mbështetje të bujqësisë.

“Përfituesit potencialë janë të gjitha subjektet të cilët klasifikohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit të tyre të veprimtarisë. Kjo qasje ka për qëllim të respektojë neutralitetin sektorial të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë inkurajon bankat pjesëmarrëse në këtë program të vlerësojnë me përparësi kreditimin e bizneseve që operojnë në sektorin e bujqësisë”, thotë Banka e Shqipërisë.

Kjo skemë synon që të rrisë aksesin e bizneseve të vogla dhe të mesme në financë thotë Banka e Shqipërisë, gjë që deri më tani është penguar nga interesat e larta, kostot e kredisë apo mungesa e kolateralit. Me këtë mbështetje synohet të ndikohet në zhvillimin e biznesit, rritjen e ekonomisë dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

“Segmenti i Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm (këtu e në vazhdim BVM), ka një peshë të madhe në ekonominë shqiptare dhe një rëndësi jetike për rritjen e qëndrueshme, afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse të vendit. Ky biznes gjeneron pjesën më të madhe të vlerës së shtuar, ofron punësim për pjesën më të madhe të shoqërisë, si dhe ka potenciale të mëdha për inovacion dhe rritje produktiviteti”, argumenton Banka e Shqipërisë.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 09:13

    Betohet Trump, a do të ndryshojë politika e SHBA-ve ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Ambasadori shqiptar flet pas ceremonisë së Tump: Presim të vijojmë punën mes dy vendeve tona, të forcojmë miqësinë dhe partneritetin!

Ambasadori shqiptar flet pas ceremonisë së Tump: Presim të vijojmë punën mes dy vendeve tona, të forcojmë miqësinë dhe partneritetin!