Kreditë që janë më shumë se tre muaj vonesë në banka shënuan një rënie të lehtë në mars, në raport me totalin e kredive. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ky tregues arriti në 11.38%, nga 11.41%, që ishte muajin e mëparshëm.
Kjo është hera e parë që ky tregues vjen në ulje këtë vit, pas rritjes për dy muaj radhazi në janar e në shkurt. Megjithatë, ky tregues mbete rreth 0.3 pikë përqindje më i lartë në raport me fundin e 2018-n, kur huatë me problem zbritën në nivelin më të ulët që nga 2011, në 11.08%.
Megjithatë, rënia e treguesit ka ardhur më shumë si rrjedhojë e rritjes së kredisë totale të dhënë nga bankat, që u gjallërua ndjeshëm në mars, sesa nga rënia e huave të pakthyera në afat. Në vlerë absolute, kredia me më shumë se tre muaj vonesë ishte 62 miliardë lekë, ose rreth 500 milionë euro, me një rritje prej 0.8% në raport me muajin e mëparshëm. Në krahasim me fundin e 2018-s, huatë me probleme në vlerë absolute janë rritur me 5.5%.
Në raport me shtatorin 2014, kur kreditë e pakthyera në afat arritën në një të katërtën e totalit (rreth 25%), treguesi ka rënë ndjeshëm, i ndikuar nga ristrukturimi i huave, por dhe fshirja e tyre nga bilancet.
Që nga viti 2015 deri në fund të 2018-ës bankat kanë fshirë nga bilancet 46 për qind të kredive të këqija ose 55 miliardë lekë (440 milionë euro).
Sipas kontributit, në rënien e kredive me probleme kanë ndikuar shlyerjet (për gati 17.6 miliardë lekë), fshirjet e kredive të humbura (për gati 4.5 miliardë lekë) dhe ristrukturimet. Që prej fillimit të vitit 2015, vlerësohet se bankat kanë larguar nga bilancet e tyre gati 55.5 miliardë lekë kredi të humbura.
Në fund të vitit 2018, kreditë me probleme zbritën në 11.08% të totalit. Në vlerë absolute, kreditë që kanë më shumë se 3 muaj që nuk kthehen në banka ishin 59 miliardë lekë fund të 2018-s. Pa fshirjen, niveli i tyre do ishte 114 miliardë lekë, ose 21.4% e stokut total të huasë në dhjetor 2018.