Socialistët akoma nuk po shprehin një preferencë se cilin kandidat preferojnë për Avokat të Popullit. Asnjë deputet i PS-së nuk ka dhënë firmë për asnjë prej emrave që janë në garë, ndërsa e marta e 2 dhjetorit është afati i fundit për dorëzimin e firmave. Kush siguron 28 firma deputetësh, kalon për votim në Parlament, të tjerët digjen që në këtë fazë.
Burimet i thanë Report TV, që gjatë konsultimeve me drejtuesit e mazhorancës, Edi Rama i ka porositur të vetët të presin e të mos firmosin për askënd, dhe të studiohen deri në minutë të fundit emrat që do të mbështeten nga opozita.
Ndër vendet që janë për t'u plotësuar së shpejti nga Kuvendi është edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Report TV ka mësuar se për këtë post, mazhoranca ka vendosur të votojë Lefterie Lleshin, ish kryetare e KQZ-së që vitet e fundit është drejtore në parlament.
Pas ikjes nga gara e Sonila Bejtes, nuk ka ende një projeksion se kush mund të jetë i përzgjedhuri për Komisioner kundër Diskriminimit. Kuvendi duhet të plotësojë edhe 3 vende në Bordin e Bankës së Shqipërisë.
Komente









