/ATSH/- Bankat rrisin fitimin me rreth 53% në 6-mujorin e parë 2015. Sipas statistikave të BSH-së të publikuara këto ditë, fitimet arritën në 8.3 miliardë lekë, apo 2.9 miliardë lekë më tepër në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2014.
Të ardhurat neto nga interesat janë rritur me 15% apo 3.2 miliardë lekë për janar-qershor 2015, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2014. Kjo u bë e mundur nga ulja e shpenzimeve për interesa që rezulton -41% më pak se sa e njëjta e periudhë e vitit të kaluar.
Gjithashtu në ulje kanë ardhur edhe shpenzimet e veprimtarisë së bankave. Fshirja e kredive të humbura nga regjistrat e bankave të nivelit të dytë për efekt të llogaritjeve tatimore, ka qenë një tjetër burim i shtimit të të ardhurave. Por në këtë 6-mujor vihet re se shpenzimet për provigjione (fondet për mbulimin kredive të këqija) u rritën ndonëse niveli i huave me probleme zbriti në 20%.