TIRANE-  Ka më shumë se 20 vjet që banojnë në një pronë të shtetit, kanë paguar kontratën e qirasë, madje kanë edhe një kontratë shitblerjeje por nuk kanë mundur të noterizojnë atë te një noter publik. Kjo i ka bërë që shtëpia të mos jetë e tyre. Mirëpo tashmë bashkia e Tiranës ka vendosur t'i japë fund ankthit të këtyre familjeve, dhe në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak do të miratohet edhe lista me emrat e 75 familjarëve që do të përfitojnë nga kjo gjë. Që do të thotë se pas miratimit të këtij projektvendimi ata mund t'i regjistrojnë shtëpitë si pronë të paluajtshme edhe pranë zyrës së hipotekës. "Drejtoria nr.3 e Punëtorëve të Qytetit, Tiranë në cilësinë e Njësisë së Privatizimit, parashtron çështjen për zgjidhjen e problemit të kategorisë së qytetarëve, banesat e të cilëve kanë qenë objekt i ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 për "Privatizimin e banesave shtetërore" dhe procedura e privatizimit të tyre nuk ka përfunduar, pra nuk kanë mundur të përfundojnë regjistrimin e banesave pranë zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, pasi nuk është lidhur kontrata e privatizimit përpara noterit publik. Këta qytetarë kanë jetuar prej më shumë se 20 vjetësh në banesat, të cilat ende figurojnë pronë shtetërore (asete të Bashkisë së Tiranës) si dhe kanë shlyer vlerën e tyre", - thuhet në relacionin shoqërues të këtij projektvendimi. Më tej ekspertët e bashkisë sqarojnë se lidhur me këtë proces, pranë drejtorisë nr.3 të qytetit janë evidentuar rast pas rasti qytetarët që kanë mbetur pa i regjistruar banesat e tyre pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për shkak se nuk janë lidhur kontratat e shitblerjes së këtyre apartamenteve para noterit publik. Ky projektvendim, i cili përmban edhe listën me emrat e 745 familjeve përfituese që i shoqërojnë këtë shkrim, sqaron se të gjitha praktikat që trajtohen nga njësia përgjegjëse e privatizimit, miratohen në Këshillin Bashkiak, përpara lidhjes së kontratës së privatizimit nga kryetari i bashkisë, ose personi i autorizuar prej tij, ndaj këta 75 familjarë duhet të marrin më parë miratimin e këshillit bashkiak.
(sg/shqiptarja.com)