TIRANËKanë nisur sërish protestat e banorëve të zonës së “Astirit” në Tiranë. Prej ditësh, ata tashmë protestojnë kundër vendimit për shembjen e banesave, për shkak të punimeve që do të kryhen për projekin e Unazës së Madhe.

Edhe pse ka pasur një prezencë të shtuar të policisë, nuk është bërë i mundur zhbllokimi i qarkullimit deri në largimin e banorëve nga rruga. Pjesë e protestës kanë qenë edhe deputetë të Partisë Demokratike. Orjola Pampuri deklaroi për mediat se Qeveria më parë duhet të kompensojë banorët, pasi kanë investuar mundin e tyre. Ndërsa kreu i FRPD-së Belind Këllci u shpreh se kjo ndërhyrje po bëhet pa asnjë paralajmërim për banorët.

Sipas banorëve të zonës, përfaqësues të Ministrisë së Transporteve ARRSH-së dhe firmave private u kanë komunikuar se disa nga banesat e kësaj zone do të prishen në kuadër të projekteve për zhvillimin dhe u kanë dhënë vetëm 10 ditë afat për të dalë nga banesat e tyre.

Sipas kreut të ARRSH-së, Afrim Qendro, 163 ndërtesave që janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen, 123 janë me vërtetime pronësie dhe pastaj për të tjerat nuk kanë asnjë lloj informacioni. Qendro u shpreh se ata që kanë dokumente pronësie do të dëmshpërblehen ndërsa ata do të skualifikohen do përfshihen në listën e të pastreheve si dhe do u jepet bonusi i qerasë për 1-2 vjet.