Projekti i prezantuar pak ditë më parë nga qeveria për hidrocentralin e Skavicës, është kundërshtuar nga banorët e Dibrës, ku sipas të cilëve përmbyten qindra hektarë tokë. Ata kërkojnë që qeveria të zhvilloje bisedime me ta, përpara se të nisë zbatimin. 

Gjashtë ditë pasi kryeministri Edi Rama prezantoi projektin e hidrocentralit të Skavicës,  mbi lumin Drin kanë reaguar banorët e zonës së Dibrës.  Ata janë kundër ndërtimit të Skavicës pasi shkatërrohen tokat e tyre. 
 

"Le të ulet të bjerë dakord me Dibrën, nuk është kollaj me pushtu Dibrën. Në vitin 2017 Edi Rama solli Gjiknurin ku tha se nuk do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës kurse tani thotë që do të behet", shprehet Kryetari i Shoqatës.

Kryetari i Shoqatës për mbrojtjen e luginës së Drinit të Zi thotë se dëmet mund të jenë shumë të mëdha. Sipas tyre janë rreth 30 mijë banorë që do të detyrohen të shpërngulen, ndaj i kërkojnë qeverisë të negociojë me ta përpara se të marrë një vendim për ndërtimin e hidrocentralit. Skavica mund të rrezikojë edhe zhdukjen e rrënojave historike pasi krahina ka qenë e banuar që nga koha e Neolitit të hershëm.

"Nëse bëhet Skavica një gjë duhet të dihet mirë nga dibranet, nuk ka dibër të poshtme, lugina e Drinit të zi është 75 km, nëse Dibra përshkohet nga një rezervuari madh ndahet në dysh, nga Kukësi në veri e deri në kufi me Maqedoninë", shprehet studiuesi Murat Koltraka.

Qeveria shqiptare synon që brenda muajit tetor të hapë garën ndërkombëtare për ndërtimin e HEC-it të Skavicës.