TIRANË, 23 Korrik/ATSH/.- Banorët e fshatrave Pandelejmon dhe Sopik, të komunës Livadhja, përmes një peticioni u shprehen sot në mbështetje të bashkimit të tyre me Bashkinë e Konispolit, sipas hartës së ndarjes së re administrative, të propozuar nga qeveria.
Përmes një peticioni, i cili bëhet i ditur nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, banorët e këtyre fshatrave përgënjeshtrojnë raportimet e fundit në media, se gjoja ata janë kundër bashkimit me Konispolin.
"Nga informacionet e të afërmve tanë, që jetojnë në Athinë, na rezulton se aty qarkullon një peticion kundër bashkimit me Konsipolin dhe se ata janë trysnuar që ta nënshkruajnë", thuhet në peticion.
Më poshtë në kët dokument parashtrohen dhe argumentat se pse ata nuk mund të jenë kundër bashkimit me këtë bashki. "Historikisht Konispoli ka qënë qendra e krahinës sonë, si qyteti më i afërt dhe i vetëm krahas Sarandës,
ndërsa ekonomikisht fusha që krijohet mes tre fshatrave dhe që është propozuar t'i bashkohet Konsipolit është me të drejtë një rajon prodhues", citohet peticioni.
"Sopiku dhe Pandelejmoni janë me shumicë dërrmuese me kombësi shqiptare dhe janë pjesë e patjetërsueshme e kombit shqiptar. Tentativat për të gënjyer në këtë drejtim janë mekanizma që kanë rezultuar të pasuksesshme në këto 23 vjet dhe nuk lejojmë të fitojnë terren sot, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Lidhja e historike e Sopikut dhe Pandelejmonit me fshatrat e Xarrës, Markatit dhe të Konispolit është e patjetërsueshme nga çdo aspekt", thuhet në peticion.
Sipas tij, për ndarjen e re administrative nuk është përdorur kriteri etnik për krijimin e bashkive. Si pasojë, e gjithë komuna Livadhja, sikurse ka qënë gjatë historisë pjesë e Nënprefekturës së Çamërisë, duhet të jetë pjesë e bashkisë së Konispolit.
"Por, meqë është e vendosur që të përdoret një përjashtim, të krijohen dy komuna minoritare dhe ne nuk jemi kundër që fshatrat e komunës Livadhja, me përjashtim të këtyre tre fshatrave të bashkohen me Bashkinë e re, me shumicë minoritare", thuhet ndër të tjera në peticionin e banorëve./a.s/./a.g/