TIRANË- Banorët e Laprakës kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar shembjet që do të bëhen në zonë e tyre në kuadër të  projektit “Unaza e Madhe”. Kjo protestë ka ardhur pasi banorët kanë treguar se iu ka ardhur një shkresë që do duhet të lirojnë banesat brenda datës 31 janar, pra brenda 3 ditësh.

Sipas tyre është e pamundur që të lirojnë shtëpitë brenda 3 ditësh e ndërsa thonë se nuk mund të gjendet një shtëpi me qira me 25 mijë lekë, pasi tani çmimet janë rritur.

Banorët ka treguar se nuk janë kundër projekteve, por sipas tyre ajo që i ka detyruar që të dalin në protestë është akt marrëveshja që nuk ua specifikon se sa metra katrorë shtëpi, ku dhe kur do marrin. Ato thonë se asgjë e tillë nuk thuhet në akt marrëveshje, madje edhe e kanë quajtur se shtëpitë e tyre “po ia sekuestron shteti”.

“Asnjë banor, në Republikën e Shqipërisë, ne kemi një shtëpi, jo si ju disa vila. Nuk jam as trim as garip, po mbroj shtëpinë time. Jam dakord me projektet, por bëj marrëveshjet siç duhet. Marrëveshja është një copë paçavure, se me 2 vite bonus qiraje nuk ke një shtëpi se ku do e marr, se sa m2 do marr, hajde ulu me banorët, jepu zgjidhje, sa m2 kam shtëpi, aq më jep dhe më thuaj kur do e marr. Mos sillni shkresa se ne për 3 ditë nuk kemi se ku shkojmë. I them hajde do ta paguaj unë shtëpinë nëse ma gjen një shtëpi me 3 dhoma, me 250 mijë lekë, unë nuk e dua të mi japësh ato. Nëse më gjen një shtëpi me 250 mijë lekë unë nuk i dua ato lekë, 30 vite kam që jetoj këtu, je duke më çuar 30 vite mbrapsht, jam një taksapagues i rregullt, në e paguajmë taksën e shtëpisë. Shko kap ato të 21 janarit, jo ne, se ne jemi duke mbrojtur shtëpitë tona”, tha një banor.

 “Kjo është sekuestrim”, tha një tjetër.

Banorëve të Laprakës i janë bashkuar në protestë edhe banorët e ‘5 Majit’, të cilët thonë se kanë të njëjtin hall. Ato kanë ftuar në takim kryebashkiakun Erion Veliaj, duke i thënë që të vijë të dëgjojë banorët dhe më pas të marrin vendim për t’iu shembur shtëpitë.