Që nga orët e para të mëngjesit, banorët e fshatit Rrjoll në Velipojë protestuan duke bllokuar rrugën për punonjësit e kompanisë “Gener 2” të biznesmenit Bashkim Ulaj, i cili po ndërton një resort luksoz në Velipojë.
Banorët kanë qëndruar para kantierit për të penguar makineritë dhe punonjësit që të hynin në pronat e tyre. Por rreth orës 08:30, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët u përplasën me banorët për t’i hapur rrugë punimeve.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka shoqëruar gjashtë persona, mes tyre edhe një grua, Luçiana Kokaj, e njohur për pjesëmarrjen aktive në protestat që vijojnë prej më shumë se dy javësh.
Pasi u larguan nga kantieri, banorët u mblodhën në qendër të fshatit Rrjoll, ku shprehën vendosmërinë për të vazhduar betejën e tyre për mbrojtjen e tokës, duke drejtuar thirrje drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama dhe gjykatave.
“Kemi shkuar në orën 6:30 për të ndaluar makineritë në pronat tona. Në orën 9 erdhën furgonat dhe na sulmuan me skafandra. Pse nuk na ndihmojnë? Duam drejtësi. Nuk do të dorëzohemi deri në vdekje”, shprehu një banor.
Me statusin e investitorit strategjik, Bashkim Ulaj në fillim të shkurtit nisi punimet për ndërtimin e “Blu Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”. Ndërsa banorët pretendojnë se ky resort po bëhet në pronat e tyre, që ua ka grabitur me letra false një person me emrin Fatmir Shpellza, i cili më pas ia ka shitur botuesit Bashkim Ulaj.
Komente













RRIHINI PUNETORET ME HUNJ..THUPRA.E GURE ..QE TE MOS FUTEN NE TOKAT E JUAJA....VETEM ME DRU MARRIN VESH...
PërgjigjuTrimat e xha Jahos!
PërgjigjuPo ju duhet te gezoheni more qe po lulezon atdheu ne çdo cep. Se kush i korr perfitimet ne token tuaj eshte ceshtje pa rendesi. Leku e prish njeriun, prandaj shteti po mundohet t’iu mbaje qelibar. Rendesi ka qe te drejtat kushtetuese qe keni, si e drejta e prones, e protestes etj. i keni te garantuara dhe mund t’i printoni tek e-Albania direkt nga qelite e burgut.
Përgjigju