Për më shumë se dy dekada, ato i kanë dhënë gjallëri zonës së Rubikut dhe kanë ndihmuar qindra familje e persona në nevojë, por misioni i tyre pritet të përfundojë në muajin shtator. Bëhet fjalë për tri murgeshat e kongregatës “Motrat e Dashurisë së Shenjtës Xhovana Antida Thouret”, të cilat prej vitesh zhvillojnë veprimtari bamirëse dhe sociale në këtë zonë.
Vendimi për ndërprerjen e misionit të tyre po kundërshtohet nga komuniteti mirditor. Prej disa ditësh, banorët kanë nisur firmosjen e një peticioni me qëllim sensibilizimin e strukturave vendimmarrëse për të lejuar vazhdimin e shërbimit të motrave në Rubik.Sipas banorëve, institucioni social i drejtuar nga murgeshat ka bërë më shumë se pushteti për komunitetin, duke sjellë shpresë dhe mbështetje për shumë njerëz. Kontributi i tyre ka qenë i dukshëm në edukimin dhe argëtimin e fëmijëve, si dhe në ndihmën ndaj të moshuarve dhe familjeve në vështirësi ekonomike.
“Më shumë se pushtetarët kanë qenë tek i varfëri, i sëmuri dhe kanë përcjellë shumë breza fëmijësh. Kanë qenë fllad dhe freski e Rubikut” tha një qytetare.
“Motrat kanë qenë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e Rubikut sepse janë munduar të krijojnë hapësira për të rinj e kanë ndihmuar moshën e tretë e persona me aftësi të kufizuar dhe na kanë mbështetur me të vërtetë” tha një qytetar
Edhe bashkëpunëtorët e motrave kërkojnë që misioni i tyre të vazhdojë, duke i cilësuar ato si një shtyllë të rëndësishme të jetës sociale, edukative, kulturore dhe shpirtërore të Rubikut.
“Unë kam bashkëpunuar shumë me motrat. Kemi bërë shumë aktivitete bashkë duke u fokusuar tek gratë kryefamiljare dhe ato të prekura nga tumori i gjirit. Këto motra i kanë dhënë Rubikut pafundësisht” tha Marjana Suli Brozi nga Unioni Mirdita.
Në harkun kohor të pak ditëve janë mbledhur rreth 1 mijë firma. Peticioni do t’u dërgohet strukturave vendimmarrëse të klerit katolik në Itali dhe Francë, me kërkesën që misioni i “Motrave të Dashurisë” në Rubik të vijojë edhe pas muajit shtator.
Komente








