Banorët e Vlorës kanë dalë në një protestë përmes së cilët kundërshtojnë ambientalistët të cilët duan të bllokojnë punimet për aeroportin e ri. Kjo protestë e tyre vjen një javë pasi një grup ambientalistësh, mes tyre edhe Sazan Guri kundërshtoi punimet për aeroportin duke thënë se rrezikon Lagunën e Nartës e cila është zonë e mbrojtur. Mirëpo banorët e zonës thonë se ky aeroport do të sjellë zhvillimin e gjithë zonës, prandaj ata thonë se duhet të ndërtohet sa më parë.

Banorët shprehen se me ndërtimin e aeroportit do të mundësohet edhe punësimi i tyre, si edhe do të jetë në plus për turizmin në zonë.

“Ky aerodrom është ndërtuar që në 63 dhe sivjet ka 60 vjetorin e zhvillimit. Dhe këtë zhvillim që jep ky aerodrom për të gjithë jugun e Shqipërisë. Kjo që kërkon Sazani është çmenduri. Sazani është përfaqësuesi i tyre. Jam kryetari i fshatit të mifolit. Ky sjell zhvillimin e të gjithë zonës, se është zonë industriale. Do shkojmë në Rinas 3 orë për të pritur një fëmijë. Ndërkohë që për zonën sjell një zhvillim të paparë”, tha Kastriot Cobo, kryetar i fshatit Mifol.

“Kam dal në mbështetja që të bëhet aeroporti. Para një jave janë mbledhur ambientalistët dhe janë kundër aeroport. Ku aeroport është miratuar që me studimin e vitit 2009. Me ardhjen e aeroporti ngrihet turizmi e zhvillohet zona janë. Ne duam që të bëhet aeroporti”, tha Eduart Shakaj banor i fshatit Fitore.

“Po protestojmë kundër atyre që thonë të mos bëhet aeroporti. Aeroporti të bëhet dhe është shumë vonë. Aeroporti këtu ka qenë dhe këtu është bërë. I sjell përfitime zonës”, tha Llukan Qarri, banor.

Ambientalistët dhe opozita kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit me argumentin se preket zona e mbrojtur Lagunë-Nartë dhe se rrezikohet shkatërrimi i mjedisit. Por qeveria thotë se aeroporti do të ndërtohet jashtë vijës së zonës së mbrojtur.

Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit. Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që pritet të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i tretë aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
Kundërshtoi ndërtimin e aeroportit, banorët e Vlorës kundër Sazan Gurit: Ne jemi pa bukë, ai shkon bën plazh në Dhërmi

Banorët e Vlorës kanë kundërshtuar qëndrimin e ambientalistit Sazan Guri, i cili thotë se nuk duhet të ndërtohet aeroporti i Vlorës pasi preket zona e mbrojtur Lagunë-Nartë. Mirëpo banorët thonë se ky aeroport do jetë një zhvillim për ekonominë e zonës dhe do të punësojë një pjesë të madhe prej tyre.

Madje një prej banorëve tha se nuk do ta lejojnë më Sazanin të protestojë në Vlorë, pasi sipas tyre ai bën plazh në zona të shtrenjta të jugut të Shqipërisë, si Dhërmiu ndërkohë që kundërshton një investim si aeroporti që për banorët e zonës do të sjellë të ardhura pas punësimit.

“Kundërshtojmë Sazanin se vijnë me ca njerëz të paguar hanë dreka e darka dhe thonë hajde kalojmë njëherë nga aeroporti. Ata nuk mendojnë se këto zona janë papunë, gjysma e Shqipërisë do zbresë këtu, pse të zbresin në Tiranë apo Kosovë. Do dal në Novoselë të bllokojë mos të vijë asnjë makinë e Sazanit. E di Sazani se ne jemi pa bukë pa ujë. Kërkojmë që këtu të punësohemi të gjithë. Sot për sot janë punësuar disa fshatarë tanë. Sazani shkon bën plazh në Dhërmi, vete ha dreka me ata që i bien me makina dhe vjen na kundërshton ne këtu”, tha një prej banorëve.