Banorët e fshatit Tërpan protestuan pasi thonë se ndërtimi ende në proces i rrugës nacionale Tërpan-Ballaban-Përmet u ka bllokuar rrugën për të hyrë me automjete në shtëpitë e tyre dhe drejt tokave bujqësore.
"Ne kërkojmë rrugën. Nuk ulet as kombajna, as makina. Do të kalosh korsinë tjetër, burim aksidenti. E kanë bërë shumë të ngushtë. Na kanë bllokuar edhe kanalin. I gjithë uji i malit kalon në atë rrugë aty dhe ne nuk kalojmë aty. janë 5 mijë rrënjë ullinj që ngelen pa punuar se nuk futet as makinë, asgjë. Para një muaji e gjysmë ka shkarë rruga komplet dhe s’është bërë. S’ka ardhur njeri fare", thotë një banor.
"Asfalti që është hedhur, është çarë i gjithi. Mure nuk ka, ledhet rrëshqasin. Mirë që s’u kanë rënë nëpër shtëpi", shton një banor tjetër.
“S’jemi në kundërshtim të bëhet rruga. Rruga të bëhet, por me kritere”, shprehet një tjetër nga banorët.
Administratori i Njësisë Administrative, Fatmir Çela, pohoi se banorët kanë të drejtë, dhe se e ka përcjellë shqetësimin e tyre në bashkinë Poliçan ku i është premtuar se do të ndërhyhet për ta zgjidhur problematikën.
"Firma s’ka mbaruar punimet për ato xhepat e rrugëve. Do të mbarojnë dhe do të hapen këto rrugë. Banorët kanë të drejtë që rrugët duhet të jenë më të gjera, do të zgjerohen. Rrugët brenda lagjes s’mund t’i shtrojë firma. Atje do të ndërhyjë bashkia", shprehet administratori.
Komente








