SKRAPAR - Është shpëtuar pas një operacioni të përbashkët mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcave të Armatosura 22-vjeçari Xhuljano Kaloti, i cili mbeti i bllokuar në ujërat e lumit Osum gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në gjetjen e një 42-vjeçari të zhdukur.
Ministria e Mbrojtjes njofton se Xhuljano Kaloti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe aktualisht nën kujdesin e ekipit mjekësor.
Sipas burimeve nga banorë të Skraparit, incidenti ndodhi gjatë lundrimit me kanoe, kur njëra prej gomoneve është përmbysur si pasojë e rrjedhës së fortë të lumit. 22-vjeçari ngeci mes shkëmbinjve në zonën e njohur si “Ngushtica e tretë”, në hyrje të një shpelle.
Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se vijon pa ndërprerje operacioni për kërkimin 42-vjeçarit Ilir Kurti, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha dhe si rrjedhojë mund të ketë ndërruar jetë.
Kanioni i Osumit ka një gjatësi rreth 12 kilometra dhe thellësia e tij arrin deri në 90 metra. Në kushte të prurjeve të larta, ndërhyrja nga persona të pa trajnuar për operacione të tilla paraqet rrezik maksimal.
Komente












Ju lumte djema! Ju paçim!
Përgjigju