Fushata e gjelbër në kryeqytet është shtrirë në çdo hapësirë komunitare, ku bashkë me Bashkinë e Tiranës, qytetarë të ndryshëm janë ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e aksioneve për mbjelljen e pemëve, si një mundësi për të jetuar shëndetshëm.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar në Facebook se si është transformuar një bllok pallatesh pranë ZRRP falë vullnetit të vetë banorëve të cilët me kanë mbjellë 70 pemë të reja duke krijuar një terren të këndshëm shëtitës e duke siguruar hije, ngjyra dhe cilësi.
“Kur e nisim ditën me vullnet për të punuar dhe jo llafe, nxjerrim vepra për t'u marrë shembull! Bravo z. Kujtim Manrea i cili me dëshirën e tij dhe mbështetjen nga banorët, e shndërruan lulishten mes pallateve, në një hapësirë të gjelbër me 70 pemë”
Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës
Qytetarë dhe biznese të shumta kanë zgjedhur që të bëhen pjesë e historisë duke mbjellë një pemë, si provë dashurie për qytetin ku jetojnë. Bashkia Tiranë ka lançuar nismën “Dhuro një pemë “ duke nxitur qytetarët që të kontribuojnë për gjelbërimin e qytetit. Kushdo mund të dhurojë një pemë dhe ta mbjellë atë në kujtim të një momenti të veçantë apo një njeriu të dashur në jetën e tij.