‘Banorët po kërkonin kokën e një njeriu’, Kllokoqi tregon si arriti të filmojë masakrën e Reçakut: Bota u zgjua me ato imazhe e më pas ndërhyri NATO

Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës së Reçaku, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Por, si u dokumentua kjo masakër që më pas solli edhe kthesën e historisë për Kosovën?

Sylejman Kllokoqi, kameramani kosovar i Associated Press, tregoi për Report Tv momentet e para kur arriti të filmonte masakrën e Reçakut. Fuqia e këtyre imazheve, për Kllokoqin fillimisht ishte e paimagjinueshme, derisa pamjet e masakrës iu dërguan Associated Press dhe bota u zgjua me ato imazhe. Falë këtyre filmimeve në Kosovë ndërhyri ushtarakisht NATO.

Për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Aglliu, tregon se në momentin e parë që ka mbërritur në Reçak, ku disa banorë po kërkonin kokën e një njeriu të varë, e më pas ka parë edhe trupat e viktimave të tjera nga kjo masakër.

“Në Kosovë ishte luftë dhe ne përcillnim se çfarë po ndodh dhe ku po ndodh. Një dit më herët para se të nisnin luftimet në Reçak, dëgjuam se atje ka krisma të forta. Ishte dhe OSBE atje. Prej aty filluan të na gjuajnë, ishin disa gazetarë të huaj, edhe unë ndër ta. Nga aty na larguan. Nesër në mëngjes, herët me fotoreporterin Isa Kryeziu, shkuam herët, nuk dëgjuam që ka krisma, pritëm gjysmë ore ta vërtetojmë si është gjendja nga një fshatar.

Takuam njërin tha, policia është larguar nga Reçaku. Shkuam me shpejtësi, ca të shohim, kishin dalë familjarët duke e kërkuar njeriun pa kokë. Xhirova ato shpejt, fillova të mbërrij te lugina, ku ishin 35. Çdo 100 metra ishin nga 2 shqiptarë të vrarë. Kur mbërrita në luginë, ato pamje të masakrës janë të mia.

Pas atyre xhirimeve vrapova në Prishtinë, i dërguam pamjet në Londër, Asociated Pres, ata i publikuan në gjithë botën. Më kujtohen edhe libri që e ka shkruar Albright, e cila thotë në mëngjes e hapa TV dhe pashë Reçakun dhe në atë moment thirra Clinton. Recaku ishte një shtysë që të ndalen këto masakra në Kosovë dhe filloi lëvizja e NATO-s. Pas Reçakut filluan bombardimet e NATO-s”, tregon për Report Tv Sylejman Kllokoqi.

Çfarë ndodhi në masakrën e Reçakut

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjenin një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e bëri të pamundur një gjë të tillë. Nga ky rrethim u ekzekutuan 45 shqiptarë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik