Një grup të rinjsh ka rrahur dy policë mbrëmjen e djeshme në rrugën ‘Myslym Shyri’ në Tiranë. Gjithçka ndodhi pasi banorët u ankuan për prishje të qetësisë publike sepse kishte muzikë të lartë në një lokal aty pranë. Efektivët shkuan në vendin e ngjarjes për kontroll dhe të rinjtë që ndodheshin jashtë janë konfliktuar duke i goditur pasi kundërshtonin shoqërimin nga forcat blu. Për pasojë njëri prej policëve është lënduar.

Menjëherë pas ngjarjes janë arrestuar 6 persona të identifikuar si shtetasit S. S., 20 vjeç, M. Sh., 19 vjeç, E. Ç., 19 vjeç, A. D., 19 vjeç, M. B., 20 vjeç dhe M. K., 28 vjeç , si dhe është vënë nën hetim 17-vjeçari i identifikuar si K. P. 

Referuar videos që ka qarkulluar në mediat online, policia njofton se pas përplasjes me të rinjtë që i kundërshtuan me dhunë, 2 efektivët kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve për shkak të situatës së krijuar. 

Edhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të tjera të Policisë, për të neutralizuar dhunën mbi dy punonjësit e Policisë,  i kanë kundërshtuar përsëri me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të tyre në Komisariat. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.