TIRANË –Partia Socialiste ka garantuar sot se “pavarësisht se u bë publik, dekreti për zhvillimin e referendumit kundër importit të mbetjeve, Partia Socialiste përsërit edhe njëherë zotimin e saj se në 100 ditët e para të qeverisjes tonë do të ndalojmë importin e plehrave dhe do të ngremë Inspektoratin Kombëtar të Pastrimit”. Këtë e deklaroi sot nga selia e PS-së, deputeti Besnik Baraj.

“Në 23 qershor ne do të marrim përgjegjësinë që ta pastrojmë Shqipërinë dhe përgjegjësinë për të mbrojtur mjedisin”, - tha ai. Në 2005, Sali Berisha premtoi ngritjen e landfilleve në zonat e mëdha urbane. Sot ka vetëm një të tillë në Bushat dhe jo funksionues. Për më tepër ligjëroi dhe importin e plehrave.

Premtoi zhvillimin e politikave mjedisore në transparence të plotë dhe komunikim me publikun. Refuzoi referendumin me 60 mijë firma.

Premtoi rritjen e nivelit të zonave të mbrojtura, mbrojtjen e pyjeve nga prerjet pa asnjë kriter. Ndërkohë sot që po flasim Lura dhe mjaft zona të mbrojtura janë në gjendje dramatike. Vetëm në vitet 2007 dhe 2012 janë djegur rreth 100 mijë ha pyje. Eksporti i druve të zjarrit e qymyrit të drurit lulëzon në kurriz të kësaj pasurie natyrore të rrënuar.

Premtoi përgjysmimin e niveli të ndotjes së ajrit në zonat e mëdha urbane. Sot në të gjithë qytetet e mëdha niveli i benzenit, oksideve të azotit dhe grimcave të imta PM2.5 është përkeqësuar, falë cilësisë së keqe të karburantit, mospërmirësimit të transportit publik, shkatërrimit të zonave të gjelbra dhe mos krijimin e rrugëve pedonale.

Premtoi të luftonte dhe përmirësonte situatën e erozionit masiv, si një nga shkaktarët e përmbytjeve e dëmeve të mëdha materiale. Sot kemi erozionin më të lartë në Europë, 20 deri 40 t/ha në vit.  Situata e këtij fenomeni është përkeqësuar. Apolonia është duke rrëshqitur dhe rrezikojmë jo vetëm dëmtimin, por dhe humbjen e kësaj trashëgimie historike dhe kulturore. Përmbytjet kanë qenë dramatike dhe sot Shkodra është nën ujë me rreth 8.000 ha, prej javësh tashmë.
Premtoi ndalimin e shfrytëzimit pa kriter të faunës së egër. Sot situata është alarmante. Gjuhët jashtë zezonit, pa kriter dhe ka specie të zhdukura apo në rrezik zhdukje.

Partia Socialiste angazhohet përpara shqiptarëve me zotime solemne: pas 23 qershorit do të fillojmë një aksion të pandalshëm për të mbjellë në territorin e Shqipërisë 1 milionë pemë; një aksion të pandalshëm për pastrimin e Shqipërisë nga plehrat që kanë mbuluar territorin anembanë”, - përfundoi bare.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)