/ATSH-Z.Tosku/-Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në bashkpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ministrisë së Mirëqënies Sociale organizuan workshopin "5 vjet ligj për mbrojtjen nga diskriminimi dhe plani i masave 2015-2020".
Në kuadër të mbrotjes të së drejtave të LGBT, ky workshop u organizua me mbështetjen e Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale dhe u ndoq nga përfaqësues të insitucioneve organizuese, si dhe zyrtarë, specialistë dhe ekspertë.
Workshopi u nda në dy pjesë. Në të parin u vlerësua zbatimi i ligjit anti-diskriminim në këto vite.
Irma Baraku, Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në gjykimin e saj vlerësoi se thyerja e mentalitetit për këtë ligj ka qenë një nga sfidat e para.
Ndërkohë sfida e dytë ka qenë mungesa e kuptimit të rëndësisë dhe forcës së këtij ligji jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë por edhe nga zyrtarë, politikanë dhe njerëz që e njohin mirë ligjin dhe aktet.
Baraku theksoi se "ndër rastet kryesore gjatë këtyrë pesë viteve kanë qenë ato të fjalimeve dhe komenteve diskriminuese nga persona me influencë të lartë në politikë dhe publik të cilët shpesh kanë përdorur çështjen e komunitetit LGBTI për të fuqizuar kauzat e tyre".
Ajo gjithashtu vuri theksin te raportimi i ulët i rasteve diskriminuese nga komuniteti LGBTI.
Vlerësimi i performancës u vijua edhe përmes dy prezantimeve të ekspertëve nga KMD. Konkretisht Eneida Shyti, eksperte ligjore, prezantoi dy raste studimore nga komuniteti LGBTI pranë KMD dhe Amarda Çoku, rritjen e ndërgjegjësimit për Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Këto dy prezantime shërbyen për tu njohur më mirë me rastet e diskriminimit dhe gjuhës se urrejtjes dhe evidentuan missionin e LMD për të eleminuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, evitimi dhe ndalimi i qëndrimeve, deklaratave dhe shprehjeve fyese dhe denigruese për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe ndërgjegjësimi i opinionin publik mbi faktin se homoseksualizmi nuk konsiderohet më, as si sëmundje dhe as nuk kategorizohet më si vepër penale.
Në pjesën e dytë u zhvillua workshopi me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të mbledhur rekomandimet dhe sugjerimet e ekspertëve dhe specialistëve të Ministrive dhe institucioneve të ndryshme në hartimin e një plani sa më realist, dhe që do të ketë rëzultate konkrete në luftën kundër diskriminimit. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ilda Bozo, Drejtore e Përfshirjes Sociale pranë MMSR theksoi se "lufta kundër diskriminimit dhe krijimi i politikave që përmirësojnë aksesin në shërbime mund të arrihet nëse të gjitha institucionet përgjegjëse bashkojnë forcat."
Gjithashtu ajo tha se "ky takim është i pari që i hap rrugën këtij proçesi që do të vijojë për gjashtë muaj dhe do të finalizohet me një Vendim të Këshillit të Ministrave. Ky plan, krahasuar me të parin (2012-2014) do të jetë më i konsoliduar".
Më pas ekspertë nga Ministritë, Drejtoritë dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe lokale dhanë rekomandimet e tyre për pesë çështje kryesore të lidhura me komunitetin LGBTI: legjislacioni, siguria dhe mbrojtja nga dhuna, shërbimet sociale dhe punësimi, arsimi dhe shëndeti.
Ndërkaq, workshopi ditën e sotme do të pasohet me një trajnim të realizuar nga Ambasada PINK me pjesëmarrjen e aktivistëve dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut nga organizata dhe grupe të ndryshme, në të cilen pjesëmarrësit do të japin gjithashtu inputet e tyre për të njëjtat fusha.
Në fund, Ambasada PINK do të prodhojë një dokument me rekomandimet dhe diskutimet e nxjerra nga ky workshop dhe trajnimet të cilat do ti jepen MMSR në kuadër të punës së saj parapërgatitore.