Flamurtari dhe KF Tirana barazuan të premten 1-1 në Vlorë për raundin e 30-të të Superligës. Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët, Orges Shehi dhe Andi Ribaj.

Orges Shehi, trajneri i KF Tiranës 'qan' golin e pësuar në shtesë, teksa sipas tij ekipi bardheblu humbi dy pikë.

"Duhet ta pranojmë rezultatin dhe pse na dhemb për mënyrën si shkoi dhe si u ndëshkuam. Ishim shumë pranë tre pikëve dhe ndaj kundërshtarit direkt. Na dhemb, por duhet të shohim përpara. Ne kishim menduar që t’i prisnim me bllok të mesëm dhe të shfrytëzonim thellësinë me Tabekou dhe Mehmetin. E nisëm lojën shumë mirë, në momente të caktuara duhet të mbanim pak topin në zotërim për të shkuar prapë në thellësi ose të ndryshonim krahun e lojës", tha Shehi pas sfidës në Vlorë.

Andi Ribaj, trajneri i Flamurtarit tha se të tijtë duhet ta fitonin këtë duel. Sa i takon përjashtimit të Lorenc Trashit nga ekipi, tekniku tha se këto janë vendime të klubit.

“Ekipi ka cilësi, por unë e kam thënë, që vuajmë presionin e pikëve dhe kjo ndikon shumë te lojtarët. Te pësimi i golit të parë, unë iu thashë që 10-15 minutat e para duhet të jemi të vëmendshëm që mos marrim topa mbrapa shpinës.

Trashi? Është pjesë e shkuar, ai është vendim i klubit, mua nuk më takon të flas. Trashi është pjesë e shkuar, për më shumë komunikoni me drejtuesit, nuk më takon mua të flas për atë çështje.

Ndeshja? Në pjesën e parë, Tirana donte të krijonte superioritet numerik në krahun e majtë tonin. Ata nuk është si na vunë në presion të madh. Ia arritëm të shënonim, por duhet ta fitonim këtë ndeshje sepse luanim ndaj një rivali direkt", tha mes të tjerash Ribaj.


Lajmi kryesor:

Superliga/ Penallti e dyshimtë dhe polemika në shtesë, Flamurtari e KF Tirana barazojnë 1-1! Sot në program tre ndeshje, grushte në Shkodër