Superliga shqiptare e futbollit nisi të premte me raundin e 30-të. Në Vlorë vendasit e Flamurtarit barazuan 1-1 kundër KF Tiranës në një ndeshje me polemika për penalltinë e akorduar në fund për vlonjatët.

Në minutën e tretë të takimit, kur skuadrat nuk kishin ngrohur ende 'motorët', një asist i bukur i Mehmetit nxori përballë portierit sulmuesin Tabekou, me këtë të fundit që e ndali sferën në rrjetë duke i dhënë avantazhin miqve. Gjithë ndeshja ishte me raste dhe polemika, por në shtesën e tretë të takimit kryesori Florjan Lata akordoi një penallti që u kontenstua shumë nga miqtë, me Erald Maksutin që u tregua i saktë nga pika e 11 metërshit për barazimin final 1-1.

Sot në program janë tre ndeshjet e radhës në Superligë. Në orën 17:00 luhen Egnatia - Bylis dhe Partizani - Vllaznia, ndërsa me fillim nga ora 20:00 në 'Air Albania' merr jetë Dinamo - AF Elbasani. Në Shkodër raportohet për një përplasje në klubin e Vllaznisë mes mbrojtësit Melos Bajrami dhe sulmuesit Charles Bismark, aq sa dyshja janë përleshur fizikisht në stërvitje. Ky raund mbyllet të dielën me ndeshjen Vora - Teuta e cila luhet në orën 15:00.  

Superliga, raundi i 30-të:

Flamurtari 1-1 KF Tirana  3 prill 2026, ora 19:00, stadiumi “Flamurtari”

Egnatia - Bylis, 4 prill 2026, ora 17:00, stadiumi “Arena Egnatia”

Partizani - Vllaznia, 4 prill 2026, ora 17:00, stadiumi “Arena e Demave”

Dinamo - AF Elbasani, 4 prill 2026, ora 20:00, stadiumi “Air Albania”

Vora - Teuta, 5 prill 2026, ora 15:00, stadiumi “KF Vora”

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
Kryebashkiaku i Shkodrës sfidon FSHF-në, Beci: 15 milionë lekë shpërblim nëse Vllaznia del kampione e Superligës

1775300561_vllaznia.jpg

Përpara ndeshjes së sotme kundër Partizanit në Tiranës, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka njoftuar se në rast se Vllaznia del kampione e Superligës këtë sezon, Bashkia do akordojë një shpërblim prej 15 milionë lekësh (të rinj) për futbollistët dhe stafin. Kujtojmë se për titullin kampion në Superligë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e shpërblen fituesin me 10 milionë lekë.

"Kam propozuar një premio të veçantë prej 15 milion lek të reja për Vllazninë në rast të shpalljes kampione, si një mbështetje konkrete për të bërë realitet ëndrrën që pret i gjithë qyteti. Emocionet kuqeblu rikthehen sot dhe sytë e gjithë Shkodrës janë te djemtë tanë. Sot Vllaznia përballet me Partizanin në një tjetër finale shumë të rëndësishme në këto javë vendimtare të kampionatit. Një ndeshje që vlen shumë dhe që na bashkon të gjithëve në mbështetje të skuadrës së qytetit tonë", shkruan Benet Beci.

Vllaznia e ka fituar nëntë herë titullin kampion në Shqipëri, teksa ky trofe mungon për shkodranët prej 25 vitesh, pasi për herë të fundit e kanë siguruar në sezonin 2000-01.

Ora 11:42
Barazimi në Vlorë, Orges Shehi: E kishim parashikuar rrezikun! Ribaj: Duhet të fitonim, Trashi e shkuara e Flamurtarit

1775295822_orgesshehiandiribaj.jpg

Flamurtari dhe KF Tirana barazuan të premten 1-1 në Vlorë për raundin e 30-të të Superligës. Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët, Orges Shehi dhe Andi Ribaj.

Orges Shehi, trajneri i KF Tiranës 'qan' golin e pësuar në shtesë, teksa sipas tij ekipi bardheblu humbi dy pikë.

"Duhet ta pranojmë rezultatin dhe pse na dhemb për mënyrën si shkoi dhe si u ndëshkuam. Ishim shumë pranë tre pikëve dhe ndaj kundërshtarit direkt. Na dhemb, por duhet të shohim përpara. Ne kishim menduar që t’i prisnim me bllok të mesëm dhe të shfrytëzonim thellësinë me Tabekou dhe Mehmetin. E nisëm lojën shumë mirë, në momente të caktuara duhet të mbanim pak topin në zotërim për të shkuar prapë në thellësi ose të ndryshonim krahun e lojës", tha Shehi pas sfidës në Vlorë.

Andi Ribaj, trajneri i Flamurtarit tha se të tijtë duhet ta fitonin këtë duel. Sa i takon përjashtimit të Lorenc Trashit nga ekipi, tekniku tha se këto janë vendime të klubit.

“Ekipi ka cilësi, por unë e kam thënë, që vuajmë presionin e pikëve dhe kjo ndikon shumë te lojtarët. Te pësimi i golit të parë, unë iu thashë që 10-15 minutat e para duhet të jemi të vëmendshëm që mos marrim topa mbrapa shpinës.

Trashi? Është pjesë e shkuar, ai është vendim i klubit, mua nuk më takon të flas. Trashi është pjesë e shkuar, për më shumë komunikoni me drejtuesit, nuk më takon mua të flas për atë çështje.

Ndeshja? Në pjesën e parë, Tirana donte të krijonte superioritet numerik në krahun e majtë tonin. Ata nuk është si na vunë në presion të madh. Ia arritëm të shënonim, por duhet ta fitonim këtë ndeshje sepse luanim ndaj një rivali direkt", tha mes të tjerash Ribaj.

Ora 10:33
Sot Partizani pret Vllazninë në kryeqytet, Kërnaja: Është koha të fitojmë kundër kryesuesve

1775291655_oltijonkrnaja.jpg

Partizani dhe Vllaznia luajnë sot në orën 17:00 në 'Arenën e Demave' për raundin e 30-të në Superligë. Të dyja skuadrat vijnë nga dy barazime radhazi dhe kërkojnë tri pikët. Vllaznia me 53 pikë bashkëkryeson renditjen me AF Elbasanin, ndërsa Partizani me 44 pikë ndodhet në vendin e 4-t, brenda objektivit 'Final 4', zonë që të dërgon në mini-turneun që në fund të sezonit të rregullt të lejon të garosh për titullin kampion.

Në lidhje me këtë duel, për mediet foli edhe trajneri i Partizanit. Oltijon Kërnaja tha se është koha që 'Demat' të fitojnë kundër Vllaznisë këtë sezon, ndërsa në tre takimet e para nuk e kanë bërë diçka të tillë.

"-Jeni gati për përballjen ndaj Vllaznisë?

Besoj se po. Kemi patur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen. Dihet rëndësia e ndeshjes, sidomos tani që të gjitha ndeshjet janë finale. Kemi shtatë finale për të luajtur, djemtë janë gati.

-Sa ndikon fakti që Partizani nuk ka fituar këtë sezon ndaj Vllaznisë?

Nuk besoj se ndikon, statistikat janë për në letër. Ne do japim maksimumin në fushë. Me Vllazninë këtë sezon kemi luajtur 3 ndeshje dy prej të cilave nën drejtimin tim. Një ndeshje këtu në shtëpi është interpretuar shumë mirë pavarësisht rezultatit 1-1. Të gjithë mendonin se ne duhet ta fitonim atë ndeshje duke parë volumin, rastet e krijuara pa fund. Siç e thashë edhe më parë është një ndeshje e fortë mes ekipeve që kanë histori në futbollin shqiptar. Të japim maksimumim dhe të hyjmë vetëm për fitore.

-Si paraqitet gjendja e skuadrës?

Besoj grupi është i gatshëm, jemi të plotë për të luajtur ndeshjen e radhës. Vërtet ne kemi patur gjatë gjithë sezonit dëmtime të vazhdueshme dhe nuk kemi patur gjithmonë grupin e plotë, por falë madhështisë së klubit mund të kemi numrin më të madh të lojtarëve në dispozicion. 

-Presioni i vendit të katërt?

Të them të drejtën presion nuk shohim. Eshtë përgjegjësi më shumë për fanellën, për emrin e ekipit, sepse Partizani gjithmonë lufton për trofe dhe të renditet sa më lart në tabelë. Kur e kemi thënë në fillim nuk e ka besuar askush. Tashmë jemi ne që e kemi arritur dhe do bëjmë maksimumin për ta mbajtur. Nuk është presion, por është një përgjegjësi që djemtë po e zbatojnë shumë mirë deri tani", tha Kërnaja.

Në kampin shkodran klima është disi e tensionuar, pas përplasjes në stërvitje të mbrojtësit Melos Bajrami dhe sulmuesit Charles Bismark.

Ora 09:21
Grushte te Vllaznia, dy titullarët përplasen në stërvitje para ndeshjes kundër Partizanit

1775287356_vllaznia.JPG

Vllaznia vijon të jetë në krye të Superligës me 53 pikë, aq sa ka edhe AF Elbasani, por situata në Shkodër është tensionuar në stërvitjet e fundit. 'Top Channel' bën me dije se dy titullarët e Vllaznisë, mbrojtësi Melos Bajrami dhe sulmuesi Charles Bismark janë përplasur fizikisht në stërvitje, aq sa është dashur ndërhyrja e shokëve të skuadrës për t'i ndarë. Një ndërhyrje e Bajramit nuk u prit mirë nga sulmuesi, gjë që solli edhe përleshjen.

Sot në orën 17:00 Vllaznia do luajë në kryeqytet kundër Partizanit për raundin e 30-të, sfidë e cila do zhvillohet në 'Arenën e Demave'.