A e mban mend kush kohën, e cila nga perspektiva e sodit duket naivisht romantike, kur bashkë me bredhin e stolisur të Vitit të Ri, nata e ndërrimit të moteve shënohej edhe me ndezjen vetëm të “xixëllonjave”?

Në mungesë të fjalorit të duhur të piroteknikës, besoj se shumëkush do t’i njohë ato nga ky përshkrim: kanë qenë tela të hollë, ndoshta një pëllëmbë të gjatë, të mbështjellë me një masë ndezëse, të cilët, pasi t’ua kesh vënë flakën e shkrepsës në njërin skaj, i argëtonin fëmijët me xixat në formë yjëzish të bukur që shkrepnin.

Aty-këtu hidheshin edhe petarda, por vetëm nga fëmijët pak më sherretë dhe rregullisht të përcjellë me reagimet mosaprovuese të të rriturish të trembur.

Tash arsenali i piroteknikës është rritur në numër të paimagjinueshëm të llojeve të mjeteve shpërthyese, prej ndoshta qindra tipash të fishekzjarrëve estetikë, deri tek ato me forma armësh luftarake, bombash a raketash, edhe me krisma pothuajse po aq të forta.

Kjo praktikë, ndonëse një nga karakteristikat margjinale të një shoqërie, megjithatë tregon se periudha historike të cilën po e jetojmë, ndonëse synon të jetë negacion i asaj të kaluarës, nën okupim, për fat të keq, megjithatë ka trashëguar shumëçka të keqe prej saj.

Duhet përkujtuar se kjo shprehi fillet i ka në vitet e nëntëdhjeta, kur pushteti okupues serb kishte instaluar një lloj të çuditshëm të liberalizmit ekonomik, kur mund të tregtohej edhe me gjëra deri atëherë të ndaluara e të kontrolluara, por levat kryesore të degëve kryesore dhe më fitimprurëse të tregtisë megjithatë i mbanin në duar tajkunët në shërbim të regjimit.

Në atë atmosferë pashprese dhe ndjenje përmbytjeje, lulëzonin falltorë e profetizues, lojërat e fatit, bastoret, por edhe bankat piramidale.

I kemi trashëguar edhe të shtënat. Shqiptarët vërtet e kanë pasur traditë të shtien në raste lindjesh a dasmash, por ajo ka qenë një e shtënë, thuaja rituale, dhe e bërë nga njeriu që e di çfarë po bën.

Të shtënat me rafale sigurisht se i kemi trashëguar nga serbët vendorë, të cilët kështu e mbizotëronin pasigurinë në mesin e detit të shqiptarëve, me të cilët i kishte hasmuar pushteti i keq.

Me gjithë ato shpërthime kaotike, me zbrazjen e karikatorëve të tërë nga kalashnjikovët, tash e sa mot festa e Vitit të Ri, në vend të një mbrëmjeje çastesh të hareshme dhe ndjenjash pozitive, është shndërruar në një shpërthim të kushedi çfarë emocionesh a instiktesh të ndrydhura.

Joshja e tyre duket se është aq fatale, sa të mos marrim mësim asnjëherë nga ballafaqimi i esëllt të nesërmen edhe me pasojat tragjike. Bilanci edhe sivjet qe si nga një betejë e palavdishme: dhjetëra persona kanë marrë lëndime të ndryshe, dy njerëz kanë humbur gjënë më të shtrenjtë, pa të cilën jeta zor s’e mund të ketë ndonjë kuptim – dritën e syve, ndërsa një grua e re ka mbetur duke luftuar pa shpresë për jetën e saj, pasi një plumb qorr e ka goditur në kokë dhe i ka depërtuar në tru.

A mund të jetë ky viti i fundit edhe për këtë barbari ciklike, paradoksale, në kohë urbane?

Shpend Ahmeti, kryetari i ri i Prishtinës e njëri nga plejada e kryetarëve të rinj të komunave, tek të cilët i kemi varur shpresat për kthesa pozitive në shumëçka tjetër, atë mbrëmje nga sheshi, tek sa i duhej të rrudhej nga pëlcitjet, premtoi se edhe fishekzjarrët duhet të kthehen atje ku e kanë vendin – tek institucionet.

Të shpresojmë se kjo nismë do të hasë në përkrahje të gjerë. Ne, sigurisht se nuk do të mund të matemi me madhështinë e fishekzjarrëve të Sidneit, Nju-Jorkut, Londrës a Parisit, por me kreativitet po. Fotografitë e Newbornit prishtinas, ndonëse skulpturë e përmasave modeste, megjithatë e kanë përshkuar globin.