Kalaja e Gjirokastrës do të mirëpresë nga 18 maji ekspozitën “Male, re dhe plisa të bardhë”, një udhëtim artistik i piktorit të njohur gjirokastrit Bashkim Ahmeti Izano, i mbushur me simbolikë, traditë dhe emocione shqiptare.

Ekspozita çelet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve dhe vjen me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Bashkisë Gjirokastër.

Sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ekspozita sjell një univers artistik që ndërthur kujtesën, traditën dhe identitetin kulturor shqiptar.

Ekspozita është kuruar nga Artan Shabani dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 gusht 2026, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00. Aktiviteti shënon gjithashtu nisjen e Javës së Muzeve 2026, e cila do të zhvillohet nga 18 deri më 24 maj në të gjithë Shqipërinë.

Gjatë kësaj jave, sipas ministrit, muzetë, parqet arkeologjike dhe hapësirat e trashëgimisë kulturore do të mirëpresin vizitorët me ekspozita, guida, performanca artistike dhe aktivitete edukative.

Java e Muzeve synon të rikthejë vëmendjen te historia, kujtesa dhe identiteti kulturor i vendit, duke i kthyer hapësirat muzeale në pika takimi mes artit, trashëgimisë dhe publikut.

U.D/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    PS e PD miratojnë rezolutë, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?