Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, është shprehur se paratë e korrupsionit të Belinda Ballukut po mbajnë peng drejtësinë.

Komentet Spahia i bëri në fjalën e tij në Kuvend, ku tha se krimi dhe korrupsioni janë kthyer në sistem në Shqipëri.

“Keni grabitur fonde publike, paratë e shqiptarëve. Keni zv.kryeministra, ministra, deputetë që janë marrë të pandehur. Janë këto që frenojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Duhet të flasim për metastazat e një sistemi që ka vendosur të vrasë të ardhmen për të mbijetuar. Ajo që shohim brenda mureve të parlamentit, është shndërrimi i votës së vjedhur në një mburojë për krimin. Kur vota tjetërsohet, institucionet kthehen në bunker ku strehohen interesat e errëta. Në Shqipërinë e sotme, kufiri mes zyrës së shtetit dhe botës së krimit është fshirë praktikisht. Paratë e korrupsionit të Belinda Ballukut dhe kupolës rreth saj janë karburanti që blen heshtjen dhe mban peng drejtësinë. Rama nuk po mbron thjeshtë një ministre, por po mbron vetë ekzistencën e tij. Ai e di mirë se rënia e një tulle të tillë nuk prish thjeshtë murin, por shemb të gjithë godinën e kalbur të pushtetit të tij”, tha mes të tjerash Spahia.

Spahia më tej kritikoi ndryshimet ligjore që kryeministri Edi Rama dhe PS po përgatit, në mënyrë që ministrat të mos pezullohen më me vendime gjykatash.

Spahia tha se kjo është një atentat i hapur ndaj demokracisë dhe një mënyrë për të mbrojtur hajdutët me ligj.

“Ndryshimet ligjore që ky pushtet po gatuan për të mbrojtur hajdutët me ligj, janë një atentat i hapur ndaj drejtësisë, shtetit të së drejtës dhe funksionimit të shtetit në tërësi. Kjo është rruga drejt një autokracie kleptokratike ku krimi nuk është më një aksident, por vetë thelbi dhe themeli i qeverisjes. Kjo sjellje kriminale po e nxjerr Shqipëria nga harta e qytetërimit perëndimor. Partnerët tanë të BE-së dhe SHBA-së po vëzhgojnë me përbuzje sesi një shtet aleat po tradhton vlerat e vërteta demokratike, për hir të xhepave apo interesave të një klike”, shtoi Spahia.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia