TIRANE- Partia Demokratike ka denoncuar sipas kësaj partie shantazhin ndaj gazetarit që publikoi mekanizmin e drogës nga ushtria shqiptare. Koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi, tha se në celularin e gazetarit të “RD-së” Telnis Kuqi ka ardhur sot një sms, përmes të cilit synon t’i bëhet shantazh gazetarit për lajmin e publikuar.
 
“Partia Demokratike dënon kërcënimin e bërë sot ndaj gazetarit të Rilindjes Demokratike, Telnis Skuqi, menjëherë pas botimit të shkrimit investigativ në lidhje me magazinat e drogës dhe rrugët e transportit të saj në Kardhiq të Sarandës. Publikimi i këtyre të dhënave mesa duket ka prishur qetësinë e personave të përfshirë në këtë trafik të çmendur droge dhe ka prishur rehatinë e shefave politikë të narkotrafikantëve. “Si shumë të lirë e ke dorën, por ta skuqim mir ne, legen” , këtë mesazh i kanë dërguar gazetarit sot në orën 9 e 8 minuta të mëngjesit. Kërcënuesi ka bërë kujdes të mos lërë gjurmë, duke përdorur metodat e dërgimit të mesazhit përmes internetit. Partia Demokratike dënon shantazhin ndaj shtypit opozitar dhe i kërkon qeverisë dhe Kryeministrit të marrë masa”, tha Bardhi.
 
Duke vazhduar më tej në akuzat e saj, Bardhi tha se “në të tilla përmasa të trafikut të narkotikëve si dhe kërcënimi ndaj gazetarit nuk mund të bëhen pa dijeninë dhe bekimin e Kryeministrit dhe ministrave të tij”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)