Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Itali, ku janë takuar me Stefania Craxi, kryetare e Grupit Parlamentar të “Forza Italia” në Senatin italian.

Gjatë takimit, deputetët demokrat shprehën mirënjohjen për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një nga aleatet më të rëndësishme të vendit.

Ata theksuan se Partia Demokratike mbështet çdo proces që e afron Shqipërinë me BE-në, por shtuan se integrimi nuk është çështje fjalësh, por kërkon reforma konkrete dhe standarde demokratike..

Ata u shprehen se janë të vetëdijshëm se përgjegjësia për ta çuar Shqipërinë përpara i takon vetë shqiptarëve.

Bardhi dhe Tabaku kritikuan situatën në vend, duke deklaruar se propaganda po mbizotëron dhe standardet demokratike po cënohen.

Sipas tyre, ka shenja të qarta për cenim të lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe i pambikëqyrur. 

"Fatkeqësisht, sot në vendin tonë po ndodh e kundërta. Propaganda mbizotëron, ndërsa standardet demokratike po cënohen. Ka tregues të qartë për cënimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që korrupsioni i përhapur në çdo zyrë, jo vetëm që nuk luftohet, por mbrohet politikisht nga mazhoranca. Kjo qasje e dëmton seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë" thanë dyshja demokrate