Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe ish-deputetja Albana Vokshi kanë vizituar disa familje në nevojë në Baldushk të Tiranës, gjatë ditës së sotme.

Bardhi tha se viti 2021 do të jetë viti i ndryshimi me një qeveri të re, që sipas tij mbështet njerëzit e nuk punon për veten. Ndërkaq ai ka deklaruar se Shqipërisë i duhet një vaksinë që të shërojë dështimet e qeverisë aktuale, dhe më e mira sipas tij është largimi i Edi Ramës. 

“Vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës. Vetëm kështu do të shkojmë nga dështimet drejt suksesit, nga dëshpërimi drejt shpresës. Gjithmonë e më shumë shqiptarë po kuptojnë se ka ende shpresë për të ndryshuar. Gjërat mund të bëhen ndryshe. Shqiptarët e kuptojnë se mund të kenë një qeverisje që kujdeset për qytetarët e jo një qeveri që kujdeset vetëm për veten. Për fat të keq në këto 8 vite na u premtuan 300 mijë vende pune, por për fat të keq u mbyllçn 300 mijë vende pune. Me besim tek njëri-tjetri, do të kemi mundësi këtë vit për të bërë ndryshimin, ndyshimin që pret shumica e shqiptarëve.

Pa asnjë diskutim vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Edi Ramës, dështimeve të tij dhe gjithë pasojave që ka sjellë keqqeverisja në këto 8 vite, papunësi, rritje të kostos të jetesës, shtim të varfërisë, braktisje të njerëzve. Prandaj ndryshimi fillon nga një qeveri, që mbështet njerëzit dhe nuk punon për vete. ky është viti që do të bëjmë të mundur ndryshimin. Nuk e ka më në dorë Edi Rama. E kemi ne në dorë. Ne do të na keni në krah, sa herë te keni nevojë”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi gjatë bashkëbisedimit në 3 familje në Baldushk.

Familjaret kanë denoncuar faktin se ende kanë ngelur pa shtëpi pas tërmetit apo disave iu është hequr edhe ndihma ekonomike.