Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi në një takim me banorët e Elbasanit tha se PD nuk premton mrekulli por do të angazhohet maksimalisht për të rikthyer situatën normale në vend. Ai tha se ekipi i PD në Elbasan kanë marrë angazhime të realizueshme, të matshme, për të cilat do të japin llogari pas 4 vitesh.
“Kur ndamë zonat e marrjes në përgjegjësi, Qaniu më kërkoi pikërisht këtë lagje se tha, i kam njerëzit e mi dhe dua t’u rri në krah para dhe pas fushatës. Unë e shoh që vendimin ju e paskeni marrë. Përgjegjësia jonë në raport me besimin e secilit prej jush vjen me 26 prill e mbrapa. Po e thamë fjalën, do duhet me i qendru. Në këtë fushatë kemi vendos të mos dalim para njerëzve e të flasim gjëra që nuk i bëjmë dot. Do ishim të pavërtetë nëse do premtonim mrekulli këtu. Dhe pas 4 vitesh të vimë e të themi, nuk i bëmë dot se kështu gjetëm ca borxhe në qeveri, po na jepni votën se do i bëjmë herën tjetër. Nuk ka më herë tjetër. Nuk ka më shans Shqipëria e këta djemtë e rinj që janë këtu, e brezi im. Prandaj në këtë fushatë ne kemi dalë me angazhimin për të kthyer normalitetin. Më mirë vij këtu, jam i vërtetë e them do bëj 3 gjëra, se sa të premtoj 300 e mos të bëj asnjërën. Nuk keni më mundësi, kohë e nerva me duru sërish këtë lloj modeli, që vjen këtu, merr besimin tuaj dhe e shndërron në mirëqënie për vete”, u shpreh Bardhi.
Ai ndau me të pranishmit konceptin e shtetit, që nuk është ky që propagandon partia në pushtet. Shtet, tha ai, është kur vë para përgjegjësisë ata lart, duke nisur me ne, nesër.
“Shtet është kur mbajnë përgjegjesi para ligjit atje lart, dhe jo dhuna policore ndaj atyre që rregullojnë dritare e çati. Ky është shteti që i vë shkelmin në fyt të pamundurit e nderon hajdutin. E kane strategji; varfëroi njerëzit e pastaj një herë në 4 vjet bliji dinjitetin, votën që është i vetmi pushtet që kanë. Ditën e zgjedhjeve duhet me marr vendimin e duhur. Jam i bindur se këtu në këtë sallë ka edhe socialistë të ndershëm. Nuk kemi me 25 prill beteje me ta. S’jemi në betejë PD-PS.Edhe socialistët janë shkel e varfëru si demokratët në këto 8 vite. Mund të jenë edhe më të mërzitur se ne, se kanë pasur besim e u kanë dhënë atyre besim” tha Bardhi.
Ai theksoi nevojën jetike për të ndërruar modelin e qeverisjes, jo thjesht për të sjellë me 25 Prill rrotacion politik.
“Nuk është ndryshim nëse ikën Taulant Balla dhe vjen Gazment Bardhi. Nuk është ndryshim, nëse nuk ndryshojmë modelin e sjelljes. S’mund ti marrim kurrë ne qytetarët që na japin votën për të mirëqënë që i kemi në xhep. Prandaj këto zgjedhje janë mesazh për këta që ishin në 8 vite e s’bënë asgjë, po edhe për ne, që nëse cedojmë nga angazhimet tona, kokërr vote s’duhet herën tjetër të na jepni. Përpos kësaj, ky (Rama) ka arrogancën dhe na fyen. I quan shqiptarët, që janë më punëtorët në botë, dembelë e thashethemexhinj. Prandaj vëllezer, kemi një betejë të përbashkët. Do duhet të nisim betejën e parë me 25 prill së bashku, po edhe pas 25 prillit. Partia jonë në këtë fushatë është familja dhe e ardhmja e fëmijëve tuaj”, deklaroi Gazment Bardhi.