Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se Tirana po mbytet nga plehrat, teksa sipas tij shqiptarët po vijojnë të paguajnë për një incenerator që nuk ekziston.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje nga një zonë e mbuluar nga mbetjet në kryeqytet, Bardhi ka shkruar se është e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE, që të prezantohet para botës me qytete të mbuluara me mbeturina.

Bardhi ka theksuar se prania e plehrave vend e pavend në Shqipëri është modeli i qeverisjes sipas tij të papërgjegjshme të kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i Bardhit:

TIRANA NË MBETURINA. PARATË E QYTETARËVE NË FURRËN E PUSHTETIT!

Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për një incenerator që nuk ekziston, ndërsa Tirana po mbytet nga plehrat. Ky është modeli i qeverisjes së papërgjegjshme: paratë e qytetarëve paguhen, shërbimi mungon dhe përgjegjësia fshihet pas propagandës.

Plehrat kanë zaptuar çdo cep të Shqipërisë, madje edhe zemrën e saj, Tiranën. Dhe ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me këtë realitet të turpshëm, pushteti vazhdon të bëjë sikur nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk mban përgjegjësi.

Është skandaloze dhe e papranueshme që një vend që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian të prezantohet para botës me qytete të mbuluara nga mbeturinat dhe me miliona të paguara për një incenerator që nuk ekziston. Kjo nuk është paaftësi. Është dështim politik dhe administrativ.

Qytetarët meritojnë shërbim, transparencë dhe llogaridhënie, jo propagandë, justifikime dhe fatura që i paguajnë ata.

Tirana nuk ka nevojë për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që punon dhe mban përgjegjësi. Mjaft me arrogancën e pushtetit. Mjaft me shpërdorimin e parave publike. Koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie ka ardhur.

R.Xh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21

    Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?