TIRANË- Sekretari Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka denoncuar se punonjësi i zjarrfikëses së Tiranës, Ndriçim Harka, i arrestuar sot për trafik droge, ishte patronazhist i PS. Kjo sipas tij është një tregues i qartë se si e ka marrë pushtetin "Rama-Doshi".

E nisur nga kjo, Bardhi thekson se opozita do të luftojë deri në fund për t'i dhënë fund këtij regjimi.

"Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronhazhist i PS-së. Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës. Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë. Ne nuk do të ndalemi në betejën tone kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend", tha Bardhi.

 Bardhi i referohet operacionit të organizuar ditën e sotme që u finalizua me arrestimin e 8 personave, mes tyre edhe "koka" e grupit të trafikut të drogës nga Gjermania- Zvicër, Ndriçim Harka.