Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në një konferencë për shtyp nga kryesia e Kuvendit, ka komentuar raportin e PS për kërkesën për autorizim të SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi thotë se Rama refuzon ‘t’ia dorëzojë drejtësisë’ Belinda Ballukut pasi po ruan veten e tij.

“Të gjithë e pamë se Edi Rama përgojoi këdo dhe bëri pis gjithçka që e çon drejtësinë nga Belinda tek ai vetë, por në 80 minuta fjalim ai nuk përmendi asnjëherë provat reale të Prokurorisë së Posaçme. Janë me mijëra mesazhe të Belinda Ballukut me vartësit e saj ku ajo ndërhyn në tendera në mënyrë të paligjshme për të favorizuar një kompani, ose për t’ia hequr të drejtën një kompanie tjetër. Në rastin e tunelit të Llogarasë, është krejt e qartë se tenderi u prish që ta fitonte më vonë kompania turke, ajo që Edi Rama dhe Belinda Balluku kishin takuar në Turqi. Është po aq e qartë porosia e dhënë prej Edi Ramës dhe e cituar prej Belinda Ballukut që një tender tjetër ta marrë një biznesmen i caktuar.

Janë këto mesazhe që e mbajnë peng Edi Ramën. Janë këto mesazhe që shpjegojnë edhe frikën e tij sot. Është sistemi korruptiv që ai ka krijuar, i cili e detyron të dalë hapur kundër SPAK-ut. Jo se ka merak Belinda Ballukun. Jam i bindur se do të donte një mijë herë të shpëtonte prej saj.

 Por Edi Rama po refuzon arrestimin e saj dhe po linçon prokurorin, në mënyrë që SPAK-ut të mos i shkojë ndër mend më të kërkojë arrestime të tjera apo, akoma më keq, të mos kërkojë arrestimin e vetë Edi Ramës. Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat të çojnë, herët a vonë, tek Edi Rama.

Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij. Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka. Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

PS kundër arrestimit të Ballukut/ Bardhi: Rama mbrojtës i korrupsionit, ‘të fortët’ që kërcënuan dëshmitarët janë grupet kriminale të Fierit