Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ngriti shqetësime mbi funksionimin e demokracisë dhe rolin e Kuvendit në Shqipëri.

Komentet Bardhi i bëri në tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues”, të organizuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri dhe Westminster Foundation for Democracy.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi përmendi kufizimin e hapësirës së debatit, mungesën e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimin e shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv. Bardhi shtoi se shumica po zhbën Kuvendin për të shmangur kontrollin.

"Gjatë fjalës time në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues” , të organizuar nga Ambasada Britanike dhe WMF për Demokraci, ndër të tjera theksova se: Demokracia nuk është një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ajo është një proces që kërkon vigjilencë të përditshme, institucione të forta dhe mbi të gjitha vullnet politik për të respektuar rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Roli i Kuvendit të Shqipërisë është kyç në këtë drejtim. Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria, por një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje. Në këtë kuptim, opozita nuk është pengesë, por një komponent i domosdoshëm i një demokracie funksionale. Një opozitë e fortë dhe e dëgjuar garanton balancën e pushteteve dhe mbron interesin publik.

Megjithatë, realiteti që përjetojmë shpesh na tregon se ky rol nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ushtruar. Sfida të tilla si kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv, dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucioni dhe cënojnë interesin publik.

Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisërefuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen", deklaroi Bardhi.

Pjesë e takimit ishte edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila gjithashtu hodhi kritika ndaj funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ajo tha mes të tjerash se Parlamenti në Shqipëri ka mungesë të theksuar të llogaridhënies dhe sipas saj, atje votohen ligje me porosi.

“Demokraci në letër, autokraci në realitet. Parlament me mungesë të llogaridhënies, ligje me porosi dhe rrënim i shtetit të së drejtës. Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje. Ajo matet me guximin për të kërkuar llogari, me forcën për të ndërtuar institucione të pavarura dhe me vullnetin për të vendosur qytetarin mbi çdo interes tjetër. Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë transformues, jo në fjalë, por në veprime”, tha mes të tjerash Xhixho.