Avokati Zaçe Islami është shprehur se Reforma në Drejtësi ishte ‘varri dhe groposja’ e Drejtësisë në Shqipëri.

Komentet Islami i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku foli për gjyqet e tejzgjatura dhe problemet me pronat në vend.

Islami sulmoi qeverinë shqiptare, duke deklaruar se ka qenë plani i saj që ‘të vritet’ drejtësia dhe shqiptarët të lodhen e të mos kërkojnë më pronën e tyre.

“Reforma në Drejtësi ishte varri dhe groposja e Drejtësisë. Është vrarë drejtësia me qëllim. Është strategji e qeverisë të vritet drejtësia, të lodhen shqiptarët, të mos kërkojnë prona. Ne nuk thamë të bëhet reformë në Drejtësi që të vidhen pronat dhe të tjetërsohen pronat. Që të mbyllen gjykatat dhe zyrat e shtetit dhe të komunikojë qytetari përmes internetit me E-Albanian. Por thamë që të bëhet reformë në Drejtësi që të shkojë haka te i zoti”, tha mes të tjerash Islami.

Më tej Islami hodhi akuza ndaj të gjithë klasës politike në Shqipëri, të cilën e cilësoi si pasardhëse të klasës politike komuniste. Sipas Islamit, ata që kanë qenë dikur në byronë politike të regjimit komunist, sot po grabisin pronat e shqiptarëve.

“Haka te i zoti nuk po shkon dhe fajëtore për këtë është klasa politike që ka filluar dhe i ka grabitur shqiptarët që në 29 nëntor të vitit 1944, kur Shqipërinë e pushtuan falangat e kuqe komuniste. Dhe sot e kësaj dite, shqiptari është bërë kavie eksperimentale, duke ia marrë pronën dhe duke mos u ndier shqiptari. Kështu që ata janë mësuar ashtu. Nga 1991 e deri këtej, ata të byrosë politike janë bërë pronarë dhe fëmijët e nipërit e tyre vjedhin pronat. Ky është realiteti shqiptar, prandaj duhet përmbysur”, shtoi më tej Islami.