Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn. Në takimin me zyrtaren e lartë amerikane, Bardhi thotë se ka ndarë qëndrimin e PD mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe regresin e Shqipërisë në raport me standardet demokratike.

Bardhi ankohet edhe për qeverinë Rama, duke shkruar se i ka shprehur VanHorn se vendi prej 12 vitesh drejtohet nga një qeveri partnere me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës. Deputeti demokrat thekson se e vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë, si partner i denjë i SHBA, është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike.

Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit. E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del  nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shkruan Bardhi.

Takimi i Bardhit me të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn vjen pas përplasjeve të tij dhe Partisë Demokratike me zyrtarët e Brukselit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:29
Balla takim me diplomaten amerikane Nancy VanHorn: Prioritet përmbushja e reformave dhe rruga drejt BE-së

1764081069_aa.JPG

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti këtë mëngjes në Kuvend të Ngarkuarën me Punë të SHBA, Nancy VanHorn. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla deklaron se në qendër të bisedës ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave shumëplanëshe, ku prioritete thelbësore spikasin përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda këtij mandati. 

Balla nënvizoi gjithashtu edhe përgjegjësitë e vendit në fushën e sigurisë.

“Diskutuam edhe detyrimet në fushën e sigurisë si një vend anëtar i NATO-s, aleat strategjik me SHBA', tha ai. 

Në takimin me Van Horn, Balla vlerësoi rolin e SHBA dhe Presidentit amerikan në proceset globale të paqes. 

“Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë. Javën e kaluar nën drejtimin e Kryeministrit Rama, Shqipëria shënoi një moment vendimtar me çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel', tha ai. 

Dy zyrtarët diskutuan edhe intensifikimin e marrëdhënieve parlamentare mes Tiranës dhe Uashingtonit.

“Gjatë takimit diskutuam edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan, si dhe mbi idenë e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy institucioneve ligjvënëse”, shkruan Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla.