TIRANE- “E shikon atë aparatin në televizor që varet, në të mund të jetë dhe fotoja ime”. Kështu i ka pohuar gruas së tij biznesmeni Piro Bare, teksa shikonte kronikat televizive të datës 25 janar, lidhur me operacionin e policisë së Tiranës, për arrestimin e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.

Sipas tij, për planin e vrasjes ishte vënë në dijeni prej disa kohësh, pasi njerëz të ndryshëm që kishin dëgjuar fjalët e Ilir Karçinit në kafene apo në restorante për një eleminim të mundshëm të tij, i kishin sjellë në vesh të Bares.

Në një intervistë për televizionin “Ora news” Piro Bare tregon se me Ilir Karçinin ka pasur marrëdhënie shoqërore, por si rezultat i keqmanaxhimit të kompanisë së tij, Karçini ka shkuar drejt greminës dhe zhytjes në kreditë bankare.

Bare tregon se është marrë në telefon nga kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Adriatik Llalla ku i ka kërkuar që të paraqitej në prokurori pa bujë mediatike, pasi duhet të bënin disa verifikime. Në prokurori i është treguar një fotografi e grisur, e cila ishte e Piro Bares.

Sipas bosit të gazit, ai ka dëshmuar se kjo fotografi është kryer në vitin 2009 në Milano, ku ka qënë në një panair dhe se kishte dalë dhe me katër biznesmenë të tjerë, mes tyre dhe Ilir Karçinin.

Bare kërkon nga shteti shqiptar vetëm drejtësi dhe asnjë gjë më shumë, ndërkohë që ka treguar dhe konkurencën e ashpër mes biznesmenëve të gazit në Shqipëri.

Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)