“Po e bllokojmë veten”, thotë një prej qytetarëve që po udhëtojnë këto ditë nga veriu i Kosovës drejt Serbisë, përmes rrugëve alternative, të cilat përfshijnë edhe kalime ilegale të kufirit. Qysh më 10 dhjetor, kur grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë kah dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, shumëkush duhet të gjejë zgjidhje vetë.
Rruga përmes malit të Rogoznës është një prej opsioneve. Në vend të rrugës kryesore nga Mitrovica e Veriut, përmes Leposaviqit, deri në pikën kufitare të Jarinjës, tani udhëtohet përmes Bajskës - Komuna e Zveçanit - dhe malit të Rogoznës, në rrugën e njohur si ‘rruga kah burimi’. Këtë javë, ekipi i REL-it e përshkoi një pjesë të kësaj rruge.
Kjo rrugë alternative fillon nga fshati Bajskë i komunës së Zveçanit.
Nëpërmjet fshatrave Bare dhe Bërgjani, arrihet në Novi Pazar dhe më pas në Rashkë - të dyja komuna në jugperëndim të Serbisë. Kjo rrugë, e cila është njëra prej disa rrugëve alternative në veri, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshin edhe një kalim të jashtëligjshëm të kufirit, sepse nuk ka vendkalim kufitar zyrtar.
Shumica e pjesëve të rrugës janë të asfaltuara, me përjashtim në disa vende.
Nëpër këtë rrugë tani kalojnë makina private, autobusë, e madje edhe kamionë.
Udhëtimi zgjat rreth dy orë e gjysmë. Në rrethana normale, udhëtimi nga Mitrovica e Veriut në Rashkë zgjat rreth një orë.
Megjithatë, në dalje nga territori i Kosovës, në një objekt të improvizuar është vendosur postblloku i Policisë së Serbisë. Në këtë vend, policia i legjitimon udhëtarët, ashtu si në vendkalimet e rregullta kufitare.
Postblloku i Policisë së Serbisë pas daljes nga territori i Kosovës.
Në këtë rrugë, përveç makinave, dy herë në ditë kalojnë edhe autobusë të kompanive private nga Mitrovica e Veriut. Siç ka marrë vesh REL-i, autobusët janë pothuajse plot me udhëtarë. Nga bisedat me disa prej tyre, del se shumica udhëtojnë drejt Serbisë për shkak të obligimeve, qofshin shëndetësore apo të punës. Magjistralet kryesore drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, janë bllokuar pasi Policia e Kosovës ka arrestuar më 10 dhjetor një ish-polic serb të këtij institucioni. Dejan Pantiç dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, më 6 dhjetor.
Zyrat e dëmtuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut. 7 dhjetor 2022.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitet për t’i hequr barrikadat, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bëjë këtë në mënyrë paqësore. KFOR-i ka thënë se po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës dhe se misioni ka aftësi dhe personel për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij.
Megjithatë, misioni u ka bërë thirrje të gjithëve që “të përmbahen nga demonstrimi provokues i forcës, në mënyrë që të garantohet siguria e të gjitha komuniteteve”. Goran Rakiç, kryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - ka thënë se “receta për heqjen e barrikadave është lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive policore nga veriu i Kosovës dhe heqja e të gjitha listave sekrete për vrasjen e serbëve”.
Rakiç nuk ka ofruar ndonjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tij, por zyrtarët e Kosovës i kanë hedhur poshtë disa pretendime të mëhershme të autoriteteve serbe se Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurti, ka dërguar forca speciale në veri dhe “synon përndjekjen e serbëve” nga ajo pjesë./REL