“Sot dua t’iu bëj thirrje të gjithë liderëve të Evropës, që të kenë përgjegjësinë dhe solidaritetin për një të ardhme brilante europiane”.

Kështu është shprehur presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso në konferencën e zhvilluar me rastin e Ditës së Europës në Universitetin Europian i Firencës në Itali.

“Ne jemi mbledhur sot në Palazzo Vecchio në djepin e Rilindjes dhe në shtetin, i cili është një nga vendet themeluese të familjes së madhe europiane”, - ka vijuar Barroso duke theksuar se “kemi qenë një kontinent i luftërave, i ndarjeve dhe shtypjeve dhe sot jemi një Evropë paqësore dhe e bashkuar”.

Barroso bëri një histori të shkurtër të themelimit të Evropës ku për më shumë se gjysmë shekulli bashkësia europiane u rrit nga 6 deri në 27 anëtarë dhe është një lojtare aktive në fushën ekonomike dhe politike me interesa në rritje si në rajon dhe në botë.

“Por në vitet e fundit ne po përballemi me krizën më të rëndë në historinë e integrimit evropian dhe në të gjithë së bashku duhet t’i shikojmë gjërat në perspektivë”, - ka këmbëngulur presidenti i KE-së.

Dhe duke përfunduar fjalimin e tij Barroso është shprehur se Evropa “na përket të gjithve dhe unë jam i bindur se ne do të ruajmë me sukses trashëgiminë e etërve tanë për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar”.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)