TIRANE - Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, së bashku me nxënës dhe studentë, ka nisur sot fushatë sensibilizuese “Të mbajmë Tiranën Pastër“. Kjo fushatë ndërgjegjësimi ka nisur me vendosjen e sloganeve nëpër kontenierë e makina të pastrimit, së bashku me numrin 0800-0888, për të denoncuar ndotjen e mjedisit, shpërndarjen e fletëpalosjeve e do të vijojë me transmetimin e spoteve televizive dhe me informimin e nxënësve, se si të kontribuojmë për një mjedis të pastër, shpjegon një njoftim për shtyp i Bashkisë.

“Qytetin e mbajmë të pastër, jo për Kryetarin e Bashkisë apo për Bashkinë, as për qeverinë apo komshiun, por për veten tonë, për fëmijët tanë”, tha Basha.
Bashkia e Tiranës u ka kërkuar operatorëve të pastrimit të vendosin mbi 2000 kosha për hedhjen e plehrave nëpër rrugët kryesore të Tiranës, ku dhe lëvizja e qytetarëve është më e madhe. “Në këtë ditë, unë dua të lajmëroj qytetarët e Tiranës, se kontraktorët e pastrimit të qytetit do të vendosin mbi 2000 kosha për hedhjen e mbeturinave anembanë qytetit dhe blerjen e gjashtë automjeteve pastruese, të cilët do i bashkangjiten flotës së tyre të operimit. Këto do të jenë automjete të reja dhe do i shërbejnë mekanizimit të mëtejshëm të pastrimit, në mënyrë që në qytet, të ketë më shumë mjete që pastrojnë me efiçencë dhe më pak pastrim me metodën e vjetër të fshesës”, tha Basha.

Ai nënvizoi gjithashtu edhe rëndësinë e pagesës së taksës së pastrimit, si një kontribut shumë i rëndësishëm i çdo qytetari, për një Tiranë të pastër: “Ne operojmë me kontributin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe në këtë kuadër, duke përgëzuar ata që i janë bashkangjitur aksionit për rritjen e të ardhurave nga tarifa e pastrimit, t’u bëjmë thirrje të gjithë atyre që jetojnë në këtë qytet, të marrin barrën që u takon, të paguajnë taksën e pastrimit, në mënyrë që pastrimi të shtrihet anembanë qytetit, me të gjithë cilësinë e nevojshme”.

(im/shqiptarja.com)